Trump paralajmëron “pushtimin” e Grenlandës, vjen reagimi i kryeministrit të ishullit
Kryeministri i Grenlandës ka bërë thirrje për unitet, duke u kërkuar qytetarëve të mos bëjnë panik, pasi u fut në një betejë gjeopolitike midis SHBA-së dhe Danimarkës nga interesi i Donald Trumpit për të marrë kontrollin e territorit.
Mute Egede tha se ai e kuptonte se njerëzit mund të jenë të shqetësuar pasi presidenti i ardhshëm i SHBA-së refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake dhe ekonomike për të fituar kontrollin e Grenlandës, por u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij që të “lënë mënjanë dallimet dhe të qëndrojnë së bashku”.
Bëhet e ditur se qeveria e tij lëshoi ënjë deklaratë të mërkurën mbrëma duke përsëritur të drejtën e Grenlandës për vetëvendosje, duke shtuar se ajo “pret me padurim të vendosë kontakte” me administratën Trump.
Deklarata e lëshuar nga ministrja për shtetësinë dhe punët e jashtme, Vivian Motzfeldt, tha se qeveria njeh “rolin vendimtar dhe të rëndësishëm të Grenlandës për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së”, prandaj, tha ajo, “ajo strehon një bazë ushtarake amerikane”.
Ajo shtoi: “Grenlanda pret të punojë me administratën e ardhshme të SHBA-së dhe aleatët e tjerë të NATO-s për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Arktikut”.
Ndërkohë, në një konferencë shtypi të martën, Trump refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake për të pushtuar Greenlandën dhe kanalin e Panamasë dhe gjithashtu sugjeroi se ai synonte të përdorte “forcën ekonomike” për ta bërë Kanadanë pjesë të SHBA-së, duke shkaktuar polemika në mbarë botën, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Raportohet se Grenlanda është një ish-koloni daneze dhe mbetet pjesë e mbretërisë së Danimarkës, e cila kontrollon politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë.
Përpara ndërhyrjes së Trumpit, një lëvizje në favor të pavarësisë nga Danimarka kishte bërë jehonë në Grenlandë.
Egede, i cili është në favor të pavarësisë, kishte përdorur fjalimin e tij të vitit të ri për të argumentuar se ishulli i tij duhet të shkëputet nga “prangat e kolonializmit” për të formuar të ardhmen e tij dhe ka thënë se pas zgjedhjeve të ardhshme duhet të bëhen “hapa të mëdhenj” drejt “krijimit të kornizës për Grenlandën si shtet i pavarur”.
Për t’u bërë një shtet i pavarur, një marrëveshje e vitit 2009 me Danimarkën dikton se duhet të ketë një referendum të suksesshëm në Grenlandë.
Për të fituar pavarësinë nga Danimarka, deklarata e qeverisë së Grenlandës tha se ishte “e hapur për bashkëpunim të shtuar dhe konstruktiv me fqinjët më të afërt”.
Ndryshe, zgjedhjet në Grenlandë do të mbahen në muajt e ardhshëm, më së voni deri më 6 prill.
Në dritën e kësaj dhe kontekstit më të gjerë ndërkombëtar, Egede bëri thirrje për unitet, duke thënë: “Apeloj që të qëndrojmë së bashku për vendin dhe të ardhmen tonë dhe të mos bëjmë panik për shkak të situatës së krijuar”. /Telegrafi/