Perëndimi kërkon të hetohen shkeljet lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska
Foto: Reuters

Perëndimi kërkon të hetohen shkeljet lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska

Bota January 09, 2025 - 10:35

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar.

Ceremonia për shënimin e kësaj dite jokushtetuese nis në orën 17:00 në Banjallukë.

Autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur, në vitin 1992, në Sarajevë, Kuvendi i atëhershëm i popullit Serb së Bosnjës dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën për shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnjë dhe Hercegovinës si një entitet i pavarur brenda Bosnjë dhe Hercegovinës.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës ka vendosur tri herë që kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është antikushtetues.

Qëllimi i asaj kohe ishte që ky territor i Bosnjë dhe Hercegovinës të bashkohej me Jugosllavinë, e cila po shpërbëhej. Në krye të republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Bilana Pllavshiq dhe Momçilo Krajishnik, të cilët janë dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Në miratimin e deklaratës nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve.

Këta dy popuj e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe si fillimin e pastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj popullsisë joserbe në territorin e Republikës Sërpska.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që organet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në Bosnjë dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe vendimtarë për të hetuar çdo shkelje ligjore në lidhje me kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, njoftoi Ambasada amerikane përmes një postimi në X.

Nga Ambasada amerikane kanë thënë gjithashtu se vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen në ligj, jo në opinion.

“Të gjitha entitetet janë të detyruara t'i përmbahen plotësisht vendimeve të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në reagim.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë, të mërkurën, me rastin e kremtimit të ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, u bëri thirrje liderëve politikë të këtij entiteti të refuzojnë retorikën provokuese, përfshirë sfidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe tërësisë së vendit.

“BE-ja thekson detyrimin për të respektuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në deklaratën e delegacionit të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, kujtoi se kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është një shkelje e qartë dhe e drejtpërdrejtë e zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe vendimeve të përfaqësuesit të lartë të 1 korrikut të vitit 2023. Ai paralajmëroi se mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të përbëjë vepër penale, sipas Kodit Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Schmidti shtoi se është përgjegjësi e organeve të zbatimit të ligjit, Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Policisë që të ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj, veçanërisht në rastet që lidhen me zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë dhe pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen apo organizimin e kremtimit të 9 janarit.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës nuk ka kundërshtuar të drejtën që Republika Sërpska të ketë një ditë të saj, por ka konstatuar se “Dita e Republikës Sërpska” nuk mund të jetë 9 janari, datë që përkon me ngjarjet e ndodhura në Sarajevë më 1992.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të jetë njësoj e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Bosnjës dhe Hercegovinës, si një vend i unifikuar, i bashkuar dhe sovran, ashtu si të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Me rastin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë në kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, nga Brukseli u tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e përparimit drejt integrimeve evropiane.

“Duhet të shmangen veprimet dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kontribuojnë në ndarjet politike”, i tha në përgjigjen me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra për media e BE-së.

Përfaqësuesit nga Serbia marrin pjesë rregullisht në kremtimin e kësaj dite në Republikën Sërpska. /REL