VOA: Trumpi s’përjashton forcën ushtarake për të marrë Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Grenlandën, gjatë një konference shtypi të martën, duke thënë se kontrolli amerikan i dyjave është jetik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Në një konferencë me gazetarë vetëm dy javë para se të marrë mandatin e ri më 20 janar, Trumpi la të hapur mundësinë që të përdorë ushtrinë amerikane për të siguruar kontrollin ndaj këtyre dy territoreve.
“Nuk mund të zotohem”, tha ai, i pyetur nëse do të përjashtonte përdorimin e ushtrisë. “Ndodh që do të duhet të bëjmë diçka. Kanali i Panamasë ka rëndësi jetike për vendin tonë”, raporton VOA.
Më pas ai shtoi se “Grenlanda na duhet për qëllime të sigurisë kombëtare”. Grenlanda është territor autonom i Danimarkës, një aleat tradicional i Shteteve të Bashkuara dhe njëra prej shteteve themeluese të NATO-s.
Trump po ashtu foli edhe për mundësinë që Kanadaja t’i bashkohej Shteteve të Bashkuara. Ai tha se për një gjë të tillë ai nuk do të mbështetej tek forca ushtarake, por në “forcën ekonomike”.
Ndërkohë, djali i madh i Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump po viziton Grenlandën të martën në kuadër të një vizite private, duke nxitur spekulime se administrata e re e Shteteve të Bashkuara do të synojë që ta marrë nën kontroll territorin danez, të pasur me minerale.
Transmetuesi shtetëror danez njoftoi se avioni i Donald Trump Jr. arriti në Nuuk, kryeqyteti i territorit të madh dhe të akullt, që ka 57 mijë banorë. Mediat vendase transmetuan pamje të tij duke ecur në pistën e mbuluar me borë.
Qeveria e Grenlandës tha përmes një deklarate se Trump Jr. ndodhet atje në “një vizitë private” dhe se nuk bëhet fjalë për vizitë zyrtare, duke njoftuar se përfaqësuesit e Grenlandës nuk do të takohen me të. Grenlanda është një territor autonom që është pjesë e Danimarkës.
Sekretari i Përhershme në Departamentin e Punëve të Jashtme të Grenlandës, Mininguaq Kleist i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se autoritetet ishin njoftuar se Trump Jr do të qëndronte atje për katër ose pesë orë.
As delegacioni i Trump Jr. e as zyrtarët qeveritarë të Grenlandës nuk kërkuan takim, sipas Kleist.
Por pavarësisht kësaj, vizita ka ngjyrim politik.
Territori në Arktik, është zonë e një rëndësie strategjike për Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë dhe të tjerët.
Ishulli më i madh i botës, Grenlanda shtrihet ndërmjet oqeanit Atlantik dhe atij Arktik dhe 80 për qind e territorit të saj është e mbuluar me shtresë akulli. Aty gjendet një bazë e madhe ushtarake amerikane.
“Po dëgjoj që popullsia e Grenlandës janë ‘MAGA’ (inicialet e sloganit ‘Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme’. Djali im, Don Jr dhe përfaqësues të ndryshëm do të shkojnë atje për të vizituar disa nga pjesët më të mrekullueshme”, shkroi Presidenti i zgjedhur Trump në një postim në platformën e tij sociale të hënën mbrëma.
“Grenlanda është një vend i mahnitshëm dhe banorët do të përfitojnë shumë nëse dhe kur të bëhet pjesë e shtetit tonë”, shkroi Trump. “Do ta mbrojmë dhe do ta ruajmë nga një botë e rrezikshme. TA BËJMË GRENLANDËN SËRISH TË MADHËRISHME!”
Kryeministri i Grenlandës Mute Egede ka bërë thirrje për pavarësi nga Danimarka, duke theksuar në fjalimin e tij të Vitit të Ri se pavarësia do të ishte një mënyrë për t’u çliruar nga e kaluara koloniale. Por Kryeministri Egede po ashtu tha se ai nuk është i interesuar që Grenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, duke këmbëngulur që ishulli nuk është në shitje.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha të martën se e ardhmja e Grenlandës do të vendoset nga Grenlanda dhe i quajti Shtetet e Bashkuara aleatin më të rëndësishëm të Danimarkës.
Mbreti i Danimarkës Frederik X po rithekson të drejtat e shtetit të tij ndaj Grenlandës dhe Ishujve Faroe, një arkipelag që vetëqeveriset ndërmjet Islandës dhe Norvegjisë në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik.
Muajin e kaluar, mbreti ndryshoi stemën e Danimarkës për të përfshirë pjesët që përfaqësojnë Grenlandën dhe Ishujt Faroe. Grenlanda përfaqësohet nga një ari i argjendtë me gjuhë të kuqe. Shpallja mbretërore theksoi se që nga viti 1194, stema mbretërore “ka simbolizuar legjitimitetin dhe sovranitetin e shtetit dhe të monarkut”.
“Të gjithë jemi të bashkuar dhe secili prej nesh është i përkushtuar ndaj Mbretërisë së Danimarkës …. deri në Grenlandë”, tha mbreti në fjalimin e tij të Vitit të Ri.
Gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti i zgjedhur amerikan e kishte përmendur blerjen e Grenlandës, e cila fitoi të drejtën për vetëqeverisje nga Danimarka në vitin 1979. Trump anuloi një vizitë të planifikuar në Danimarkë në gusht të vitit 2019 pasi kryeministri danez e hodhi poshtë këtë ide.
Trump e ringjalli këtë temë muajin e kaluar kur njoftoi për emërimin e ambasadorit të SHBA-ve në Danimarkë, duke shkruar: “për shkaqe të sigurisë kombëtare dhe lirisë në tërë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen që pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është një domosdoshmëri absolute”.
Djali i tij i madh, Don Jr, është figurë e rëndësishme në lëvizjen politike të babait të tij dhe është pjesë e ekipit të tranzicionit të presidentit, që përzgjedh pjesëtarët e administratës së ardhshme në Shtëpinë e Bardhë.