Raportohet se BeH nuk i dha leje për fluturim një helikopteri ushtarak serb për 8 dhe 9 janar

Raportohet se BeH nuk i dha leje për fluturim një helikopteri ushtarak serb për 8 dhe 9 janar

Bota January 07, 2025 - 19:35

Ministri i Mbrojtjes i Bosnje dhe Hercegovinës (BeH), Zukan Helez, nuk ka dhënë pëlqimin që një helikopter ushtarak serb të fluturojë mbi territorin e BeH, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Helikopteri duhej të transportonte një delegacion nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në Banjallukë për të marrë pjesë në festimin e 9 janarit që njihet si Ditës së Republikës Sërpska (RS), datë e cila nuk njihet nga qeveria qendrore boshnjake.

Ambasada serbe në BeH kërkoi miratimin për një fluturim me helikopter nga Serbia mbi territorin e BeH për 8 dhe 9 janar.

Agjencia e lajmeve “Fena” raportoi se Helez ka deklaruar se “ai fluturim i helikopterit të Serbisë dhe vizita e delegacionit të ministrisë së mbrojtjes të Serbisë, pa mëdyshje nxjerr përfundimin se synimi ishte të merrte pjesë në ngjarjet lidhur me shënimin e 9 janarit, të cilën më 2015 dhe 2019 Gjykata Kushtetuese e BeH, me vendimet e saja, e shpalli ditë jokushtetuese të RS-së”, transmeton Klankosova.tv.

Helez deklaroi se ai informoi Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, selinë e NATO-s në Sarajevë, EUFOR-in dhe delegacionin e BE-së në BeH për vendimin e tij mbi kërkesën për fluturim.

Sipas Helez, mosrespektimi i vendimeve të gjykatës kushtetuese në të gjitha vendet demokratike përfaqëson një minim të shtetit të së drejtës, kurse në BeH edhe një vepër të mundshme penale.

Helez u bëri thirrje autoriteteve serbe që të respektojnë vendimet parlamentare, gjyqësore dhe vendimet e tjera të institucioneve dhe organeve të shtetit të BeH dhe, në përputhje me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, të respektojnë rendin kushtetues të BeH.

Ai vlerësoi se mosrespektimi i vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese tregon shkelje të Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqe në BeH, e cila, siç theksoi, mund të ketë pasoja të paparashikueshme për paqen dhe stabilitetin.

Helez deklaroi se nëse si ministër i mbrojtjes dhe zyrtar në institucionet e BeH do të kishte dhënë pëlqimin që një helikopter ushtarak të fluturonte nga Serbia mbi territorin e BeH, ai nuk do të kishte respektuar vendimin përfundimtar dhe detyrues të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së dhe do të kishte qenë bashkëpunëtor në pengimin e respektimit dhe zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të shkelte Kodin Penal të BeH.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, do të arrijë nesër në Banjallukë me një delegacion qeveritar serb, njoftuan mediat e Banjallukës.

Gjykata Kushtetuese e BeH-së ka kundërshtuar dy herë 9 janarin si Ditën e RS-së.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk është në diskutim festimi i Ditës së RS-së, por vetë data, duke qenë se më 9 janar 1992, Kuvendi i atëhershëm i Popullit Serb në BeH miratoi Deklaratën për Shpalljen e Republikës së popullit serb në BeH në Sarajevë. Festimi i Ditës së RS-së më 9 janar u vlerësua si diskriminues ndaj popujve joserbë në Republika Sërpska. /Klankosova.tv