Ukraina raportohet të ketë nisur ofensivë të re në Kursk të Rusisë
Foto: AFP

Ukraina raportohet të ketë nisur ofensivë të re në Kursk të Rusisë

Bota January 05, 2025 - 15:05

Ukraina pati nisur ofensivë të befasishme në Kursk edhe në gusht të vitit 2024. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ushtria ukrainase ka nisur ofensivë të re në rajonin rus Kursk, sipas deklaratave preliminare të zyrtarëve ukrainas dhe raportimeve në disa kanale pro-ruse në platformën Telegram.

Ofensiva e papritur është bërë e ditur nga Andriy Kovalenko, udhëheqës i Qendrës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës kundër Dezinformimit, përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Ai ka thënë se forcat ruse në Kursk janë “sulmuar në disa drejtime, në mënyrë të befasishme”.

Edhe shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përmendur sulmin në mënyrë indirekte në Telegram.

“Rajoni Kursk, lajme të mira, Rusia po fiton atë që e meriton”, ka thënë ai.

Ofensiva është raportuar të jetë nisur nga qendra Sudzha, e cila ka qenë nën kontrollin ukrainas prej gushtit të vitit 2024, dhe ka vazhduar në drejtim të Bolshoje Soldatskojes, rreth 70 kilometra larg qytetit Kursk.