DASH informon Kongresin: Planet për t’i shitur Izraelit armë me vlerë 8 miliardë dollarë
Departamenti i Shtetit informoi Kongresin mbi planifikimin për t’i shitur Izraelit armë me vlerë 8 miliardë dollarë, thonë zyrtarët amerikanë, ndërsa vendi aleat i Shteteve të Bashkuara vazhdon luftën kundër Hamasit në Gazë.
Një pjesë e tyre mund të dërgohet nga stoqet aktuale të armëve amerikane, por për shumicën mund të duhet një ose disa vite për t’u dorëzuar, thanë dy zyrtarë amerikanë të cilën folën të shtunën në kushte anonimiteti, sepse njoftimi nuk është dërguar zyrtarisht në Kongres.
Shitja përfshin raketa të mesme veprimi për ta ndihmuar Izraelin të mbrohet nga kërcënimet ajrore, predha artilerie prej 155 mm, raketa Hellfire AGM-114 dhe armatime të tjera.
Shitja e këtyre armëve do t’i shtohej ndihmës ushtarake prej të paktën 17.9 miliardë dollarësh që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Izraelit që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, kur filloi lufta.
Administrata Biden është përballur me kritika për rritjen e vdekjeve të civilëve palestinezë. Ka pasur protesta në kampuset universitare, si edhe përpjekje të pasuksesshme në Kongres nga Senatori i pavarur Bernie Sanders dhe disa demokratë për të bllokuar që t’i shiten armë Izraelit. /abcnews