Mike Johnson rizgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

Mike Johnson rizgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

Bota January 03, 2025 - 21:45

Drama e parë e madhe e Kongresit të ri u zhvillua ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve u përpoq të zgjidhte një kryetar të ri, me Mike Johnson që arriti të sigurojë shumicën.

Fillimisht u duk sikur Johnson nuk e kishte shumicën e votave të nevojshme për ta mbajtur postin, megjithatë dy kundërshtarë republikanë e ndryshuan votën e tyre për ta mbështetur atë pas bisedimeve që zgjatën më shumë se gjysmë ore.

Votat ishin 218 për Johnson dhe 215 për liderin demokrat Hakeem Jeffries – me të gjithë demokratët që votuan për Jeffries.

Republikanët e kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një shumicë të ngushtë prej 219-215, shkruan yahoonews.

Procesi i mundimshëm i Johnson për të bindur është një sinjal i sfidës së vështirë që ai do të ketë në arritjen e unitetit në Kongres.

Ky votim është sprovë edhe e aftësive të republikanëve për të qenë të bashkuar për ta çuar përpara agjendën e Trumpit për uljen e tatimeve dhe përforcimin e kufirit.

Votimi e testoi gjithashtu edhe ndikimin e Trumpit ndaj Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, ku disa republikanë kanë treguar tashmë gatishmëri për ta shpërfillur atë.

Me betimin e Trumpit më 20 janar, republikanët do kenë kontrollin e të tri degëve të qeverisjes në dy dhomat e Kongresit dhe në Shtëpinë e Bardhë.