SHBA: Qeveria akordon fondin prej 306 milionë dollarësh për monitorimin e gripit të shpendëve
Administrata e Presidentit Joe Biden, në dalje, njoftoi të premten se do të akordojë 306 milionë dollarë për të forcuar monitorimin ndaj gripit të shpendëve.
Fondi i ri do të mbështesë programet kombëtare, shtetërore dhe lokale të përgatitjes dhe monitorimit, si dhe hulumtimet për masat e mundshme mjekësore kundër virusit H5N1.
Vendit iu raportua rasti i parë i rëndë i gripit të shpendëve tek një qytetar i Luizianës në muajin dhjetor, i cili u hospitalizua në gjendje kritike pas dyshimeve për kontakt me një tufë shpendësh të infektuar në oborr.
Shtetet e Bashkuara kanë raportuar 66 raste njerëzore të gripit të shpendëve që nga fillimi i vitit 2024, megjithatë ekspertët besojnë se numri i vërtetë mund të jetë më i lartë, me raste që mund të kalojnë pa u vërejtur ndërmjet punonjësve të bagëtive dhe shpendëve.
Përderisa virusi nuk është gjetur të përhapej nga njeriu te njeriu, sasitë e gripit të shpendëve që qarkullojnë ndërmjet kafshëve dhe njerëzve kanë alarmuar shkencëtarët, sepse ai mund të kombinohet me gripin sezonal dhe të kthehet në një formë më të transmetueshme, potencialisht duke shkaktuar një pandemi vdekjeprurëse. /abcnews