Orbani nuk ftohet në ceremoninë e inaugurimit të Presidencës polake të BE-së
Polonia ka vendosur të mos e ftojë ambasadorin e Hungarisë në ngjarjen që do të mbahet më 3 janar për nisjen e Presidencës polake të Bashkimit Evropian. Kjo pasi Budapesti i dha azil politik një ish-zëvendësministri, i cili po hetohet për dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike, tha një zyrtare e lartë.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, po ashtu nuk është ftuar në ceremoninë që do të mbahet në Varshavë, tha zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Magdalena Sobkowiak-Czarnecka.
Varshava ka shprehur zemërim, pasi Hungaria muajin e kaluar i dha azil politik Marcin Romanowskit, ish-zëvendësministrit polak të Drejtësisë, i cili u ndalua korrikun e vitit të kaluar si pjesë e një hetimi për keqpërdorim të fondeve publike.
Romanowski u lirua shpejt, pasi presidenti i Asamblesë evropiane për të drejtat e njeriut tha se ai kishte imunitet pasi ishte anëtar i këtij trupi. Ish-zëvendësministri i mohon akuzat kundër tij.
“Kur ne i ftuam mysafirët në galanë tonë para një muaji, ne e ftuam gjithë korpusin diplomatik”, tha Sobkowiak-Czarnecka gjatë një deklarimi televiziv të premten.
“Por, pas situatës me zëvendësministrin Romanowski, ministri [i Punëve të Jashtme, Radek] Sikorski vendosi që ambasadori hungarez nuk do të jetë i mirëpritur në ngjarjen e sotme”.
Kryeministri polak, Donald Tusk, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pritet të mbajnë fjalime në ceremoninë e inaugurimit të Presidencës gjashtëmujore të Polonisë në BE.
Hungaria e ka pasur kryesimin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2024.
Tusku ka qenë një kritik i Orbanit për qëndrimin e tij lidhur me luftën në Ukrainë, por edhe për politikat që Polonia i konsideron proruse. Orbani i ka thënë një media hungareze se qeveria e Tuskut i konsideron hungarezët armiq.