Italia kërkon lirimin e gazetares Cecilia Sala nga burgjet e Iranit

Italia kërkon lirimin e gazetares Cecilia Sala nga burgjet e Iranit

Bota January 02, 2025 - 23:55

Ministria e Jashtme italiane ka kontaktuar të enjten ambasadorin iranian për t’i kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetares Cecilia Sala, e cila u arrestua në Teheran më 19 dhjetor, ndërkohë që po punonte me vizën e rregullt për gazetarët.

Përmes një deklarate ministria shpreh “shqetësimin serioz” mbi ndalimin e gazetares Sala dhe thekson domosdoshmërinë e trajtimit njerëzor dhe respektimit të të drejtave të saj.

Mediat italiane njoftojnë se gazetarja Sala po mbahet e izoluar në një qeli të ftohtë burgu me një dritë fluroshente që mbahet e ndezur ditën dhe natën. Syzet e saj janë sekuestruar dhe ajo pothuajse nuk ka asnjë kontakt me njerëz të tjerë.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane, Riccardo Guariglia, kërkoi që personeli i ambasadës në Teheran të lejohet ta vizitojë gazetaren Sala dhe t’i japë asaj “sendet të cilat i janë mohuar deri tani”, sipas ministrisë.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit IRNA njoftoi të hënën se Sala u arrestua për shkak se “shkeli ligjet e Republikës Islamike”. Agjencia nuk dha detaje të tjera. /abcnews