Detaje të reja rreth vrasjeve në Mal të Zi – disa viktima janë anëtarë të familjes së të dyshuarit që kreu krimin

Detaje të reja rreth vrasjeve në Mal të Zi – disa viktima janë anëtarë të familjes së të dyshuarit që kreu krimin

Bota January 01, 2025 - 22:06

Të paktën shtatë persona, duke përfshirë edhe dy fëmijë, janë vrarë në Cetinje të Malit të Zi ndërsa policia është në kërkim të dyshuarit, Aco Martinoviq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Danilo Saranoviq, njoftoi se janë vrarë pronari i lokalit të gastronomisë “Velestovo” dhe disa anëtarë të familjes së tij.

Saranoviq shtoi gjithashtu se ndër viktimat janë edhe anëtarët e familjes së Aco Martinoviqit, i dyshuari për kryerjen e vrasjeve, shkruan vijesti.me.

“Të gjitha kapacitetet në dispozicion të Drejtorisë së Policisë, nën drejtimin e drejtorit të saj, ndodhen në Cetinje me qëllim të arrestimit të të dyshuarit për këto vrasje. Shumë persona kanë humbur jetën, përfshirë pronarin e lokalit dhe disa anëtarë të familjes së tij, si dhe anëtarë të familjes së të dyshuarit për kryerjen e vrasjeve”, deklaroi Saranoviq.

Ndërkohë, qeveria malazeze ka shpallur tre ditë zie dhe u ka shpreh ngushëllime familjeve të viktimave dhe të plagosurve.

Ndryshe, policia gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të mos dalin në rrugë pasi i dyshuari është i armatosur. /Telegrafi/