SHBA-ja ofron 3.4 miliardë dollarë ndihmë buxhetore për Ukrainën

SHBA-ja ofron 3.4 miliardë dollarë ndihmë buxhetore për Ukrainën

Bota December 30, 2024 - 19:11

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen ka njoftuar 3.4 miliardë dollarë ndihmë në mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore për Ukrainën.

Yellen tha të hënën se Ukraina ka nevojë për burime kritike mes sulmeve të intensifikuara ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës kritike, transmeton Telegrafi.

“Mbështetja jonë e drejtpërdrejtë buxhetore për Ukrainën vjen në një moment kritik, kur Rusia po përshkallëzon sulmet e saj ndaj civilëve ukrainas dhe infrastrukturës kritike”, shtoi Yellen.

“Ndihma ekonomike nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë është thelbësore për aftësinë e Ukrainës, për të mbrojtur sovranitetin e saj dhe për të arritur një paqe të drejtë duke ruajtur shërbimet kritike të qeverisë që mbështesin luftën e saj të guximshme”, theksoi ndwr tjera Sekretarja e Thesarit.

Kjo ndihmë prej 3.4 miliardë dollarësh, e koordinuar me Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Departamentin e Shtetit të SHBA-së, është disbursimi përfundimtar i fondeve sipas Aktit dypartiak të Ndarjeve Suplementare të Sigurisë në Ukrainë të vitit 2024.

“Mbështetja jonë e drejtpërdrejtë buxhetore vazhdon të kushtëzohet nga reformat që lidhen me forcimin e zbatimit të ligjit, përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit të institucioneve qeveritare dhe forcimin e rregullave dhe procedurave kundër korrupsionit”, shtoi Sekretarja.

Disbursimi i fundit e sjell shumën totale të ndihmës buxhetore të SHBA-së për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022, në pak më shumë se 30 miliardë dollarë.

Shumica e këtyre fondeve përdoren për të mbështetur punën e qeverisë ukrainase duke u paguar paga mësuesve dhe nëpunësve të tjerë civilë.

“Suksesi i Ukrainës është në interesin thelbësor kombëtar të Amerikës”, tha Yellen, duke u zotuar të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Moskën përmes sanksioneve dhe të ndihmojë në forcimin e Ukrainës për të arritur një paqe të drejtë.

“Ne nuk duhet të tërhiqemi në këtë përpjekje”, shtoi ajo. /Telegrafi/