Turqia e gatshme të furnizojë Sirinë me energji, Erdogani: Do të bëj gjithçka për rindërtimin e saj

Turqia e gatshme të furnizojë Sirinë me energji, Erdogani: Do të bëj gjithçka për rindërtimin e saj

Bota December 30, 2024 - 13:58

Turqia është e gatshme të furnizojë me energji elektrike Sirinë dhe Libanin dhe një ekip zyrtarësh qeveritarë tashmë janë në Siri duke punuar se si të zgjidhin çështjet e saj energjetike, ka njoftuar ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar.

Turqia, e cila mbështeti rebelët në Sirinë fqinje, të cilët rrëzuan Bashar al-Assadin këtë muaj pas një lufte civile 13-vjeçare, ka rihapur ambasadën e saj në Damask dhe tashmë ka kryer kontakte të nivelit të lartë me liderin e ri de fakto Ahmed al-Sharaa.

“Ndoshta energjia elektrike që i nevojitet Sirisë dhe Libanit fillimisht do të plotësohet duke e eksportuar atë nga Turqia”, tha Bayraktari.

Bëhet e ditur se delegacioni i ministrisë mbërriti në Damask të shtunën dhe, sipas komenteve të mëparshme të Bayraktar, do të diskutojë bashkëpunimin e mundshëm të energjisë, duke përfshirë transmetimin e energjisë elektrike për të lehtësuar mungesat, shkruan Reuters.

Ai tha se fuqia e instaluar e Sirisë para luftës prej 8.500 megavate, kishte rënë në rreth 3.500 megavate.

“Shumica dërrmuese e njerëzve i plotësojnë nevojat e tyre për energji elektrike me gjeneratorë, kështu që në fakt ekziston një nevojë shumë serioze për energji elektrike”, tha ministri turk, duke shtuar se ekipi po shqyrtonte se si mund të përdoren burimet e naftës dhe gazit natyror të Sirisë.

Ndryshe, presidenti Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Ankaraja do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për rindërtimin e Sirisë.

Turqia aktualisht siguron energji elektrike në disa pjesë të Sirisë Veriore, ku ka kryer katër operacione ushtarake që nga viti 2016. /Telegrafi