Putini thotë se Sllovakia është ofruar të jetë nikoqire e bisedimeve të paqes me Ukrainën

Putini thotë se Sllovakia është ofruar të jetë nikoqire e bisedimeve të paqes me Ukrainën

Bota December 26, 2024 - 23:12

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Sllovakia kishte ofruar të ishte “platformë” për bisedimet e mundshme të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, gati tre vjet që nga fillimi i ofensivës së Moskës.

Në një konferencë televizive për shtyp, ai tha se kryeministri i Sllovakisë Robert Fico “tha se nëse ka ndonjë negociatë, ata do të jenë të lumtur ta ofrojnë vendin e tyre si një platformë”.

Ai shtoi se Rusia “nuk ishte kundër kësaj”, duke vlerësuar “pozitën neutrale” të Sllovakisë në raport me Rusinë dhe Ukrainën, raporton AFP, transmeton Klankosova.tv.

Fico, një nga liderët e paktë evropianë që ruan lidhjet me Kremlinin, u takua me presidentin rus në Moskë më 22 dhjetor.

Vizita e tij erdhi pavarësisht përpjekjeve perëndimore për të izoluar Putinin dhe për të paraqitur një front të bashkuar në mbështetje të Kievit.

Sllovakia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ka ndërprerë tashmë ndihmën ushtarake për Ukrainën që nga vjeshta 2023 nën qeverinë e Ficos dhe bëri thirrje për bisedime paqeje.

Fico ka akuzuar Kievin se ka rrezikuar furnizimin e vendit të tij me gaz natyror rus, nga i cili është shumë i varur.

Ukraina ka thënë se nuk do të rinovojë një kontratë që skadon në fund të këtij viti për të lejuar gazin e Rusisë të kalojë tranzit nga vendi i saj drejt Evropës dhe nuk është gjetur ende asnjë alternativë e mundshme.

Ukrainasit “po ndëshkojnë tashmë Evropën duke i dhënë fund kontratës për furnizimin me gaz”, tha Putin, duke shtuar se asnjë kontratë e re nuk mund të arrihet “brenda tre ose katër ditësh”.

Por ai tha se ishte gati të furnizonte me gaz BE-në, ndoshta nëpërmjet tubacionit Yamal-Evropë që kalon tranzit nga Polonia.

Perspektiva e bisedimeve të paqes për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë që filloi në shkurt 2022 është rritur që nga rizgjedhja e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Trumpi është zotuar të shtyjë për një marrëveshje të shpejtë për të ndalur luftimet kur të marrë detyrën në janar. /Klankosova.tv