Ende nuk dihet shkaku i rrëzimit të aeroplanit në Kazakistan
Më shumë se 30 persona humbën jetën, kur një aeroplan azerbajxhanas u rrëzua në Kazakistan. 29 persona mbijetuan.
Shkaku i rrëzimit është i paqartë. Ka disa teori.
Pas rrëzimit të një avioni pasagjerësh në Kazakistan me disa të vdekur, shkaku i aksidentit mbetet i panjohur.
Shoqëria e fluturimit, Azerbajxhani Airlines dhe Autoriteti Rus i Aviacionit Civil thanë se informacionet paraprake sugjeronin se piloti vendosi të bënte një ulje emergjente, pasi avioni u godit nga një zog.
Nga ana tjetër, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se sipas informacioneve të tij, avioni ka ndërruar itinerar për shkak të motit të keq.
Avioni Embraer 190 u ngrit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku në mëngjes dhe ishte planifikuar të fluturonte rreth një orë për në Grozny në republikën ruse të Çeçenisë.
Megjithatë, avioni me numër fluturimi J2-8243 nuk mundi të ulej në Grozny dhe për këtë arsye u nis për në një aeroport alternativ, tha Aliyevi.
Megjithatë, mbetet e paqartë pse makina devijoi qindra kilometra nga kursi. Aktau ndodhet në anën tjetër të Detit Kaspik – përballë Azerbajxhanit dhe Rusisë.
“Ndikimi i jashtëm, skenari më realist”
Sipas ekspertit të aviacionit, Heinrich Großbongardt, mjegulla ose një tufë zogjsh nuk ka gjasa të jenë shkaku i rrëzimit.
“Skenari realist është një ndikim nga jashtë”, tha ai për Tagesschau. “Avioni u dëmtua jashtëzakonisht shumë dhe nuk mund të kontrollohej. Kjo nuk është diçka që shkaktohet nga një tufë zogjsh, për shembull, ku motorët dalin nga funksioni, por avioni mbetet i kontrollueshëm”.
Blogerët ushtarakë rusë nuk përjashtuan që avioni mund të kishte hyrë në zonat mbi Kaukazin e Veriut ku luftoheshin dronët ukrainas në mëngjes.
Platforma e gjurmimit të lëvizjes të avionëve, “Flightradar24” bëri të ditur, se avioni kishte pasur probleme të mëdha me sinjalet GPS, pasi “nuk dërgonte të dhëna të mira të ADS-B”.
Ky është një sistem kontrolli për sigurinë e fluturimit që shërben për të treguar lëvizjet e avionit në hapësirën ajrore dhe transmetimin e të dhënave të pozicionit të avionëve, Rusia është akuzuar vazhdimisht për bllokimin e qëllimshëm të sinjaleve GPS në rajon.
Qeveria e Kazakistanit bëri të ditur, se do të bashkëpunonte me Azerbajxhanin në hetimin e rrëzimit të aeroplanit.
Hetimet ndër të tjera kanë të bëjnë me pretendimet për “shkelje të rregullave të sigurisë” në trafikun ajror.
Në mbrëmje, ekipet e shpëtimit zbuluan regjistruesin e fluturimit të makinës, e njohur edhe si kutia e zezë. /DW