Mbi 30 të vdekur nga përplasja e një kamioni dhe një autobusi në Brazil

Mbi 30 të vdekur nga përplasja e një kamioni dhe një autobusi në Brazil

Bota December 21, 2024 - 18:24

Një përplasje mes një autobusi pasagjerësh dhe një kamioni ka lënë të vdekur 30 persona në Minas Gerais të Brazilit.

Departamenti i zjarrfikësve të vendit njoftoi se 13 të tjerë janë dërguar në spital.

Autobusi raportohet se ishte nisur nga Sao Paulo dhe mbante 45 pasagjerë.

Ndërkohë, autoritetet thanë se të gjitha viktimat ishin larguar nga vendi dhe një hetim do të përcaktojë shkakun e aksidentit, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Sipas dëshmitarëve, autobusit i shpërtheu një gomë, duke bërë që shoferi të humbiste kontrollin dhe të përplasej me kamionin.

Ndryshe, me autobus është përplasur edhe një veturë me tre pasagjerë, por që të tre kanë shpëtuar.

Guvernatori Romeu Zema shkroi në X se ai urdhëroi “mobilizimin e plotë” të qeverisë Minas Gerais për të ndihmuar viktimat.

“Ne po punojmë për të siguruar që familjet e viktimave të mbështeten për ta përballuar këtë tragjedi në mënyrën më humane të mundshme, veçanërisht pasi ajo vjen pak para Krishtlindjeve”, tha Zema.

Në vitin 2024, më shumë se 10,000 njerëz vdiqën në aksidente trafiku në Brazil, sipas Ministrisë së Transportit.