Diplomatët amerikanë vizitojnë Sirinë për herë të parë pas rënies së Assadit

Diplomatët amerikanë vizitojnë Sirinë për herë të parë pas rënies së Assadit

Bota December 20, 2024 - 13:17

Disa diplomatë amerikanë kanë mbërritur në Damask të premten për të biseduar me liderët e rinj të Sirisë dhe për të kërkuar të dhëna për vendndodhjen e gazetarit të zhdukur amerikan, Austin Tice. Kjo është vizita e tyre e parë e zyrtarëve amerikanë në Siri që nga rënia e presidentit Bashar al-Assad javë më parë.

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërt, Barbara Leaf, ish-i dërguari i posaçëm për Sirinë, Daniel Rubinstein, dhe i dërguari kryesor i administratës Biden për negociatat për pengjet, Roger Carstens, vizituan Sirinë për bisedime me udhëheqësit e përkohshëm sirianë, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit të premten në mëngjes.

Kjo është vizita e parë zyrtare e diplomatëve amerikanë në Siri pas më shumë se një dekade, që nga mbyllja e Ambasadës amerikane në Damask në vitin 2012.

“Ata do të angazhohen drejtpërdrejt me popullin sirian, duke përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë, anëtarë të komuniteteve të ndryshme dhe zëra të tjerë sirianë për të biseduar për vizionin e tyre për të ardhmen e vendit të tyre dhe për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara mund t’i mbështesin”, tha Departamenti i Shtetit.

Në krye të agjendës së tyre do të jetë mbledhja e të dhënave për gazetarin amerikan Austin Tice, i cili u zhduk në Siri në vitin 2012. Gjithashtu, ata do të theksojnë se parimet e gjithëpërfshirjes, mbrojtja e pakicave dhe heqja dorë terrorizmi dhe armët kimike, janë vendimtare për çdo mbështetje amerikane për Qeverinë e re siriane.

Tice, i cili ka punuar për media si The Washington Post dhe gazetat, u zhduk në një pikë kontrolli në një zonë të kontestuar në perëndim të Damaskut, kur lufta civile në Siri po përshkallëzohej.

Një video e publikuar disa javë pas zhdukjes së tij shfaqte Ticen me sy të lidhur, i mbajtur nga burra të armatosur, duke thënë: “O, Jezus”. Që nga atëherë nuk është dëgjuar më prej tij.

Qeveria e Bashar al-Assadit e kishte mohuar publikisht se e mbante atë.

Grupi rebel që udhëhoqi sulmin ndaj Damaskut, i cili e detyroi Assadin të ikë nga vendi, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Megjithatë, kjo nuk ua ndalon zyrtarëve amerikanë të flasin me anëtarët ose udhëheqësit e grupit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Rubinstein, Leaf dhe Carstens do të takohen me zyrtarët e HTS-së, por nuk tregoi nëse lideri i grupit, Ahmad al-Sharaa, dikur i lidhur me al-Qaedan, do të jetë një nga ta.

Zyrtarët amerikanë kanë përshëndetur deklaratat publike të al-Sharaa-s për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe grave, por janë skeptikë nëse ai do ta bëjë këtë në të ardhmen afatgjate.

SHBA-ja nuk ka prani diplomatike zyrtare në Siri që nga viti 2012, kur e pezulloi punën e Ambasadës në Damask gjatë luftës civile në vend, megjithëse ka vendosur trupa ushtarake në disa pjesë të vogla të Sirisë në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik (IS).

Pentagoni njoftoi të enjten se SHBA-ja e kishte dyfishuar numrin e forcave të saj në Siri për ta luftuar IS-in para rënies së Assadit.

Vizita e diplomatëve në Damask nuk do të rezultojë në rihapjen e menjëhershme të Ambasadës amerikane, e cila është nën mbrojtjen e Qeverisë çeke, sipas zyrtarëve amerikanë. Ata thanë se vendimet mbi njohjen diplomatike do të merren kur autoritetet e reja siriane t’i bëjnë të qarta qëllimet e tyre.