Sarajeva “mbytet” nga ajri toksik, një re e trashë mjegulle rrokulliset mbi qytet – anulohen fluturimet

Sarajeva “mbytet” nga ajri toksik, një re e trashë mjegulle rrokulliset mbi qytet – anulohen fluturimet

Bota December 19, 2024 - 21:53

Fluturimet u ndaluan dhe njerëzve iu tha të qëndronin brenda, pasi një re e trashë mjegulle përfshiu të enjten kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Sarajevë, ndërsa banorët u përpoqën të përballonin ajrin toksik.

Kompania zvicerane e teknologjisë së cilësisë së ajrit IQAir, e cila vlerëson cilësinë e ajrit në kohë reale, e vendosi indeksin e cilësisë së ajrit të Sarajevës, ose AQI, si “shumë të pashëndetshme” 225, duke e renditur qytetin si të tretin më të ndotur në botë.

Image

“Kjo është e tmerrshme, ne jemi të mbytur, veçanërisht njerëzit me sëmundje të zemrës. Mezi marr frymë, e shihni sa e vështirë është për mua të flas”, tha pensionistja Hajra Subasiq, transmeton Telegrafi.

Sarajeva dhe qytetet e tjera të mëdha në Ballkan janë tradicionalisht shumë të ndotura gjatë muajve të dimrit, pasi vendet atje mbështeten te qymyri dhe druri për ngrohje.

Image

Ekspertët kanë paralajmëruar për efektet në shëndetin e njerëzve, sepse ajri i keq është i lidhur me sëmundje të ndryshme dhe vdekje të parakohshme.

E vendosur në një luginë të rrethuar nga male, Sarajeva është veçanërisht e prirur ndaj ndotjes së ajrit. Planifikimi i keq urban dhe përhapja e ndërtesave të larta e kanë përkeqësuar problemin vitet e fundit.

“Askush nuk po bën asgjë. Nuk mund ta besoj se kjo po ndodh në kryeqytetin e Bosnjës dhe ata (autoritetet) nuk mund ta rregullojnë atë”, tha Subasiq.

Image

Shtetet e Ballkanit përgjithësisht kanë të dhëna të dobëta në mbrojtjen e mjedisit, pavarësisht premtimeve për përmirësimin e situatës, ndërsa kërkojnë t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lumenjtë e Ballkanit shpesh janë të bllokuar me mbeturina dhe riciklimi është pothuajse inekzistent.

Ajri në kryeqytetin fqinj të Serbisë, Beograd, gjithashtu u konsiderua “i pashëndetshëm” të enjten me indeksin e cilësisë së ajrit të vendosur në 170.

Image

Në Sarajevë, aeroplanët u ndaluan në orët e mëngjesit për shkak të mjegullës, dhe shoferët u paralajmëruan të kenë kujdes shtesë për shkak të dukshmërisë së ulët.

Shumë njerëz mund të shiheshin duke bartur maska ëpër fytyrën për të paktën një mbrojtje.

Një banore e Sarajevës, e cila dha vetëm emrin e saj Nada, tha se po përpiqet të shmangë ndotjen duke shkuar në malet përreth qytetit, ku ajri është i pastër dhe nga ku Sarajeva mund të shihet e mbuluar në një re mjegull poshtë. /Telegrafi/

Image
Image