Kasanof: Do të mbështesim Shkupin drejt integrimit të plotë në BE
Foto: Laura Hasani

Kasanof: Do të mbështesim Shkupin drejt integrimit të plotë në BE

Bota December 05, 2024 - 19:54

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguar për Ballkanin Pernëdimor, Alexander Kasanof qëndroi të enjten në Shkup ku theksoi se SHBA-të do të qëndrojnë përkrah Maqedonisë së Veriut, “siç kanë bërë që nga pavarësia, për të ndihmuar në arritjen e synimeve për një demokraci përparimtare, të sigurtë dhe dinamike, të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian dhe në komunitetin euroatlantik”.

Me kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski kanë biseduar edhe për nevojën e reformave; për çështjen e korrupsionit dhe tema të tjera rajonale.

I dërguari amerikan për Balllkanin Perëndimor, Alexander Kasanof në Shkup konfirmoi partneritetin e fuqishëm dhe të qëndrueshëm, siç tha, midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut. Zyrtari amerikan në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Hristijan Mickoski theksoi mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj synimeve të Maqedonisë së Veriut për integrimin e plotë euro-atlantik dhe për reformat dhe përfitimet që dalin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Ai tha se i kupton sfidat me të cilat u përball Maqedonia e Veriut për anëtarësim në NATO dhe kërkesat për të bërë edhe më shumë me qëllim të përparimit drejt anëtarësimit në BE.

“SHBA qëndrojnë fuqishëm pranë Maqedonisë së Veriut, ndërsa ajo po bën reforma të rëndësishme që do ta forcojnë ekonominë e saj, infrasrtukturën dhe sektorin publik e privat si dhe komunitetet”.

Zoti Kasanof u shpreh se Maqedonia e Veriut e ka vendin natyror brenda BE-së. “Kjo nënkupton, shtoi ai, përparimin e vërtetë në qeverisjen e mirë dhe ndryshimet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit”.

Në takimin me kryeministrin maqedonas është diskutuar edhe mbi çështjen e korrupsionit:

“Kryeministri Mickovski e kupton shumë mirë fuqinë që ka korrupsioni në gërryerjen e besimit publik; frenimin e zhvillimit të vendit në rritjen ekonomike, teksa ka bërë që lufta kundër korrupsionit të jetë çështja kryesore e kësaj qeverie dhe ne e vlerësojmë këtë”, tha zoti Kasanof.

Ai shprehu mirënjohje për ndarjen prej 2 përqind të Prodhimit të Brendhsëm Bruto për shpenzimet e mbrojtjes për këtë vit dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shkupit për Ukrainën.

Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski tha se qeveria e tij ka përparësi integrimin evropian, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik:

“Këto përparësi nuk janë vetëm synime kombëtare, por paraqesin edhe kusht për qëndrueshmëri dhe përparim për të gjithë rajonin. Integrimet evropiane mbeten përparësia jonë strategjike dhe po punojmë për realizimin e reformave që do të sigurojnë sundimin e ligjit, transparencën dhe efikasitetin e institucioneve”, tha zoti Mickovski duke shtuar se në këtë kuadër bëjnë pjesë edhe mbrotja dhe liria e të drejtave të njeriut.

“Në këtë mënyrë planifikojmë t’i afrohemi BE-së dhe ta përmirësojmë standardin e jetesës së qytetarëve tanë”, tha ai.

Ndërkohë, kryeministri maqedonas nuk foli në konferencën e shtypit për problemet me Bullgarinë fqinje e cila po pengon përpraimin e Shkupit drejt BE-së për shkak të mosgadishmërisë për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë. Qeveria në Shkup shpreson se pas formimit të qeverisë në Sofje të vazhdojë bisedimet rreth mosmarrëveshjeve, por politikanët bullgarë nuk kanë treguar shenja se kjo mund të ndodh./VOA