Rusia mbyll Konsullatën polake në Shën Petersburg
Foto: AFP

Rusia mbyll Konsullatën polake në Shën Petersburg

Bota December 05, 2024 - 18:57

Rusia ka urdhëruar që Konsullata polake në Shën Petersburg të mbyllet, në shenjë hakmarrjeje me mbylljen e Konsullatës ruse në Poznan të Polonisë, tha Ministria e Jashtme ruse.

Në tetor, Polonia njoftoi për mbylljen e Konsullatës ruse në Poznan, duke e akuzuar Moskën për përpjekje të “sabotimit” të shtetit dhe aleatëve të Polonisë.

“Duke u udhëhequr nga parimi i reciprocitetit, tre anëtarët e stafit diplomatik të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Polonisë në Shën Petersburg janë shpallur persona të padëshiruar [persona non grata]”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.

Në njoftim u tha se Konsullata duhet të mbyllet dhe stafi duhet të largohet nga Rusia deri më 10 janar 2025.

Polonia u përgjigj se do të mbyllë të gjitha konsullatat ruse në tokën e saj nëse vazhdon të kryhet “terrorizëm”, për të cilin e ka fajësuar Moskën.

“Nëse aktet diversionit dhe terrorizmit vazhdojnë, unë do të mbyllë konsullatat e tjera që janë në Poloni”, tha për gazetarët ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, pasi Moska njoftoi për mbylljen e Konsullatës në Shën Petersburg.

Tensionet mes Rusisë dhe Polonisë – shtet anëtar i NATO-s – janë përshkallëzuar që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, të dyja palët kanë dëbuar dhjetëra diplomatë.

Polonia është mbështetëse e madhe e Kievit dhe ka qenë pikë e rëndësishme për transitin e armëve perëndimore për në Ukrainë.

Polonia e ka akuzuar Rusinë se qëndron prapa përpjekjeve të spiunazhit dhe sabotimit në territorin e saj.

Në një nga gjykimet më të mëdha për spiunazh, Polonia vitin e kaluar dënoi 14 shtetas të Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainë për përgatitje të akteve sabotuese në emër të Moskës. Polonia tha se këta persona ishin pjesë e një rrjeti të spiunazhit.

Ata u gjetën fajtorë se kishin bërë përgatitje për të penguar trenat që bartnin ndihmë për Ukrainën, për monitorim të ndërtesave ushtarake dhe infrastrukturës kritike të Polonisë. /REL