Dy të vdekur pasi një stuhi ka goditur Greqinë

Dy të vdekur pasi një stuhi ka goditur Greqinë

Bota December 01, 2024 - 20:50

Dy burra kanë vdekur pasi shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në disa pjesë të Greqisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, më shumë se 30 centimetra shi u raportua të ketë rënë në ishullin Rodos – një nga zonat e para që u ndikua nga stuhia Bora – që nga e shtuna.

Vdekjet ndodhën në ishullin Lemnos ku përmbytjet dëmtuan rrugët dhe ndërtesat dhe banorëve iu kërkua të evakuonin shtëpitë e tyre, mes frikës se një digë mund të “tejmbushej”.

Dëme janë raportuar gjithashtu në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, Selanikun, me shiun dhe stuhitë që mund të prekin pjesën më të madhe të vendit në orët në vijim, tha Shërbimi Meteorologjik Kombëtar i Greqisë.

Në Lemnos, rrjeti rrugor rural që lidh fshatrat Kontias me Thanos dhe Agios Dimitris është shkatërruar plotësisht.

Një 70-vjeçar në Kontias humbi jetën pasi u rrëzua teksa po përpiqej të pastronte shtëpinë e tij.

Një fermer 57-vjeçar u gjet i vdekur nga zjarrfikësit pasi u raportua i zhdukur nga familja e tij pranë një dige të përmbytur pranë fshatit.

Sipas burimeve policore, ai u mbyt pasi u përfshi nga ujërat e vrullshëm teksa po përpiqej të çlironte makinën e tij, e cila ishte ngecur në baltë brenda një përroi.

Banorëve në Kontias iu kërkua të evakuojnë shtëpitë e tyre pasi ekziston frika se diga do të dalë nga shtrati.

Situata në Rodos u cilësua si “dramatike” nga banorët.

Në ishull është vendosur ndalimi 24 orësh i lëvizjes së mjeteve në rrjetin rrugor.

Guvernatori rajonal i Egjeut Jugor, Giorgos Hatzimarkos, tha se Rodosi kishte pësuar “dëm të madh”.

Shumë rrugë në ishull janë të pakalueshme, ndërsa ura janë shembur në zonën Kallithea-Faliraki.

Ndërkohë, një anije mallrash e ankoruar në portin e Selanikut u përfshi nga erërat e forta, duke çuar në një përplasje me një tjetër anije mallrash dhe dëmtime në të dyja mjetet lundruese.

Parashikuesit thonë se stuhia Bora ka të ngjarë të prekë shumë pjesë të Greqisë deri të martën herët. /telegrafi