Mijëra njerëz marshojnë në Serbi një muaj pas tragjedisë në Novi Sad

Mijëra njerëz marshojnë në Serbi një muaj pas tragjedisë në Novi Sad

Bota December 01, 2024 - 19:14

Mijëra njerëz iu bashkuan një marshi protestues të dielën në qytetin verior të Serbisë, Novi Sad, për ta shënuar njëmujorin e shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, e cila la 15 të vdekur dhe dy të plagosur.

Në ballë të marshit, protestuesit e mbajtën një pankartë të madhe që përmbante gjurmët e një dore me ngjyrë të kuqe – që ishte mesazh për autoritetet se kanë gjak në duart e tyre, raporton Associated Press.

Më vonë, pjesëmarrësit lanë të njëjtin mesazh simbolik mbi asfalt në sheshin kryesor në Novi Sad, si dhe e lyen me ngjyrë të kuqe pjesën më të madhe të sheshit.

Protesta bllokimi i rrugëve janë mbajtur pothuajse çdo ditë që nga shembja e strehës më 1 nëntor, duke kërkuar përgjegjësi pasi betoni i strehës ranë mbi njerëz që ishin ulur ose po kalonin nën të, në një ditë me diell.

Ndërtesa e stacionit hekurudhor ishte rinovuar dy herë vitet e fundit. Shumë njerëz në Serbi besojnë se korrupsioni i përhapur dhe marrëveshjet e fshehta ndikuan në rinovim të dobët dhe shembje të strehës.

Derisa prokurorët kanë njoftuar për arrestimin e 13 personave, një gjykatë serbe e ka liruar nga paraburgimi ish-ministrin e Ndërtimit, Goran Veshiq. Kjo ka nxitur skepticizëm të gjerë për hetimin në vazhdim, pasi populistët kontrollojnë si policinë ashtu edhe gjyqësorin.

Marshimi të dielën në Novi Sad u mbajt në heshtje dhe kaloi paqësisht, ndryshe nga disa bllokime të rrugëve javët e fundit, kur mbështetësit proqeveritar kanë tentuar t’i pengojnë tubimet dhe janë përleshur me protestuesit.

Përleshje kanë shpërthyer gjithashtu në Parlamentin e Serbisë midis partisë në pushtet dhe deputetëve të opozitës.

Protestat shihen edhe si sfidë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Qeveria populiste e të cilit ka kontroll të fortë mbi mediat kryesore dhe institucionet, raporton Associated Press.

Vuçiq i mbrojti të dielën mbështetësit e vet që u shfaqën në protestat e udhëhequra nga opozita për bllokimin e rrugëve. Ai tha se bllokimi i rrugëve përbën “dhunën më ekstreme” kundër qytetarëve.

Partitë opozitare po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë dhe Qeverisë së tij, si dhe qasje në të gjithë dokumentacionin mbi ndërtesën e stacionit hekurudhor dhe projektet e tjera infrastrukturore të realizuara në bashkëpunim me kompanitë shtetërore kineze.

Stacioni në Novi Sad u ndërtua fillimisht në vitin 1964. Rinovimi i tij ishte pjesë e një projekti më të madh me Kinën dhe Hungarinë për ta ndërtuar një hekurudhë të shpejtë midis Beogradit dhe Budapestit. /REL

Image