Vuçiqi konfirmon se do të shkojë Moskë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se do të vizitojë Moskën në muajin maj të vitit të ardhshëm, duke shënuar vizitën e parë në Rusi që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë.
Deklarata është bërë pas ftesës së presidentit rus, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në festimet që shënojnë 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore, shkruan nova.rs.
“Nëse nuk ndodh fundi i botës – ndonëse nuk jam i sigurt, por shpresoj që kjo të mos ndodhë – do të ishte nder i madh për mua të jem në Sheshin e Kuq për këtë përvjetor historik”, ka thënë ai.
Vuçiq ka theksuar se për këtë çështje ka diskutuar edhe me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico, i cili gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.
Ndërkohë, Kremlini ka njoftuar se më 9 maj të vitit të ardhshëm synon të organizojë “festimin më të madh në histori,” duke promovuar vlerat patriotike dhe ushtarake.
Kjo vizitë e paralajmëruar vjen në një kohë kur Serbia përballet me kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian për politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë. Në Raportin e Progresit për Serbinë, BE-ja ka vënë në dukje mungesën e harmonizimit të politikave të Serbisë me ato të bllokut, veçanërisht përballë agresionit rus në Ukrainë.
Raporti ka ngritur shqetësime për bashkëpunimin e shtuar midis Beogradit dhe Moskës, ndërkohë që Serbia refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Kremlinin.
Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që në vitin 2014, por marrëdhëniet e saj të veçanta me Rusinë kanë ngritur pikëpyetje për përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian. Refuzimi për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së dhe kultivimi i lidhjeve të forta me Moskën e kanë pozicionuar Serbinë në një situatë të ndërlikuar diplomatike, duke sfiduar përpjekjet e saj për t’u afruar me Perëndimin. /Telegrafi