Presion ndaj Scholzit që të mos garojë edhe për një mandat
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, është duke u përballur me presion në rritje për t’u larguar nga pozita e kandidatit të Social-Demokratëve për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.
Zyrtarë të lartë të partisë është raportuar t’iu jenë bashkuar thirrjeve që ai t’ia lirojë vendin ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius, meqë sondazhet e reja tregojnë se popullariteti i Scholzit është ulur edhe më tepër.
Gjermania do t’i mbajë zgjedhjet e përgjithshme shtatë muaj më herët sesa ishte planifikuar, për shkak të shpërbërjes së koalicionit qeveritar të Scholzit, më herët gjatë këtij muaji.
Scholz, në anën tjetër, ka dhënë sinjale se synon të garojë sërish për mandatin e kancelarit.
Mirëpo, Norbert Walter-Borjans, ish-lider i Social—Demokratëve ka thënë se beson që Pistorius do të kishte më shumë mundësi për të mundur kandidatin e konservatorëve për kancelar, Friedrich Merz.
“Scholz e ka shpëtuar shtetin tonë prej shumë kërcënimeve në kohë jashtëzakonisht të vështira”, ka thënë Walter-Borjans për të përditshmen, Rheinische Post.
“Mirëpo Merz mund të mposhtet vetëm me një kandidat për kancelar që ka forcën për të bërë diferencën përmes vetëkritikës”, ka shtuar ai.
“Kjo ka qenë pika e dobët e Scholzit deri më tani”.
Pistorius e ka fituar pozitën e parë në renditjen e politikanëve më të pëlqyer të Gjermanisë, në listën e publikuar nga gazeta Bild të martën, derisa Scholz ka rënë nga pozita e 19-të në të 20-ën. /Rel