Shtyhet vendimi i zbatimit të dënimit të Donald Trumpit
Prokurori i Qarkut të Manhattanit pranoi se do të shtyhet vendimi i zbatimit të dënimit për Donald Trumpin, por ata mendojnë se vendimi nuk duhet të anulohet.
Në një letër dërguar gjyqtarit Juan Merchante, zyra e prokurorit të qarkut gjithashtu pranoi se 78-vjeçari ka të ngjarë të mos dënohet “deri në fund të mandatit të ardhshëm presidencial ose pas përfundimit të tij”.
Megjithatë, prokurori thotë se dënimi i republikanit për një krim duhet të mbetet në fuqi, raporton CNN.
Ky zhvillim përfaqëson një kthesë historike dhe pa precedent për fatin ligjor dhe politik të presidentit të ri amerikan. Para një viti, Trumpi u përball me katër akuza të ndara.
Tani, ndërkohë që po përgatitet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, strategjia e avokatëve të Trumpit për të shtyrë të gjitha rastet pas zgjedhjeve të vitit 2024 ka rezultuar shumë e suksesshme.
Dy raste federale do të mbyllen së shpejti, rasti i shtetit të Georgias ka qëndruar për një kohë të gjatë në pritje dhe rasti në New York pritet të përfundojë pa një dënim.
Trumpi u shpall fajtor për falsifikimin e dokumenteve biznesore, të cilat avokati i tij i atëhershëm, Michael Cohen, i përdori për të fshehur pagesën që iu bë aktores të filmave pornografike, Stormy Daniels për të heshtur në lidhje me një aferë të supozuar me të. Trumpi e mohoi se kishte pasur një aferë me këtë grua. /telegrafi