SHBA-ja raportohet se i ka dhënë leje Ukrainës të sulmojë Rusinë me armë me rreze të gjatë
Mediat amerikane kanë raportuar se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka hequr kufizimet që e parandalonin Ukrainën që të përdorte armët amerikane për të sulmuar thellë brenda territorit rus.
The New York Times, Associated Press dhe Reuters raportuan më 17 nëntor se Biden ka hequr këto kufizime, duke u thirrur në burime që kanë njohuri për këtë çështje.
Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar për këto raportime.
Nëse ky lajm konfirmohet, atëherë do të përbënte një ndryshim të madh në politikën amerikane, pasi Kievi që një kohë të gjatë i ka kërkuar Uashingtonit që ta lejojë që të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar Rusinë.
Reuters, duke cituar burime, raportoi se Kievi planifikon të kryejë sulmet e para me armë me rreze të gjatë veprimi pas disa ditësh, por nuk dha më shumë detaje.
Ukraina me gjasë do të përdorë raketat e sistemit ATACMS – që kanë rreze veprimi deri në 300 kilometra – tha Reuters, duke cituar tri burime që kanë informacione për këtë çështje. /REL