Zelensky: Putin nuk është i interesuar për negociata
Presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk është i interesuar që të mbajë negociata për t’i dhënë fund luftës, por dëshiron të mbajë bisedime me udhëheqësit e huaj për t’i dhënë fund izolimit të tij ndërkombëtar". Kështu tha më 16 nëntor presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pasi Putin një ditë më parë zhvilloi një bisedë telefonike me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
“Mendoj se Putini aspak nuk do paqe, por kjo nuk nënkupton se ai nuk dëshiron që të ulet me disa nga udhëheqësit [në tavolinën e negociatave]. Sepse për të, izolimi politik nënkupton shkatërrim. Është shumë fitimprurëse për të që të ulet, të bisedojë dhe të mos pajtohet”, tha Zelensky gjatë një interviste për transmetuesin ukrainas më 16 nëntor.
“Ai nuk mund të udhëtojë dhe negociatat nënkuptojnë se ai mund të shkojë diku... Kjo do të nënkuptonte fundin e izolimit për të”, tha Zelensky.
Megjithatë, Zelensky tha se Ukraina do t’i japë fund konfliktit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe e pranoi se situata në fushëbetejën në lindje të vendit, ku Rusia po bën përparime, ishte e vështirë pasi ushtria ukrainase ka më pak ushtarë dhe më pak armë sesa ushtria ruse.
“Sa na përket neve, ne duhet të bëjmë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, të përfundojë përmes diplomacisë”, tha Zelensky.
Ai shtoi se dëshiron të bisedojë direkt me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe jo përmes ndërmjetësve. Por, një kontakt i tillë, sipas ligjeve amerikane, tha Zelensky, është i pamundur para se Trump të marrë detyrën.
“Si president i Ukrainës, do ta marr seriozisht vetëm bisedën me presidentin e SHBA-së, me gjithë respektin që kam për njerëzit e tjerë”, tha Zelensky.
Ai kritikoi bisedën që Scholz realizoi me Putinin më 15 nëntor, duke paralajmëruar se kjo ka hapur “Kutinë e Pandorës”, duke minuar përpjekjet për të izoluar Putinin dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë “përmes paqes së drejtë”./REL