Problemi i parë për Trumpin, shefi i Rezervës Federale: Nuk do të jap dorëheqje edhe nëse ma kërkon presidenti

Problemi i parë për Trumpin, shefi i Rezervës Federale: Nuk do të jap dorëheqje edhe nëse ma kërkon presidenti

Bota November 07, 2024 - 22:27

Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, tha se nuk do të japë dorëheqje nëse i kërkohet nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

“Jo”, tha pa hezitim ai, në përgjigje të një pyetjeje të një gazetari në konferencën për shtyp pas takimit të së enjtes.

Rezerva Federale uli normën e interesit me një të katërtën e pikës të enjten, pas zgjedhjeve presidenciale, shkruan CNN.

Kujtojmë se pavarësia e Rezervës Federale mund të vihet në rrezik pasi 78-vjeçari të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se presidenti duhet të ketë të paktën një fjalë në këtë çështje. E ndjej fort këtë”, kishte pohuar Trump në një konferencë për shtyp në muajin gusht, duke iu referuar vendimeve për normën e interesit të FED-it.

“Kam fituar shumë para. Kam qenë shumë i suksesshëm. Dhe mendoj se kam një instinkt më të mirë se, në shumë raste, njerëzit që do të ishin në Rezervën Federale – apo kryetari”, pohoi ai.

Ndryshe, sistemi i Rezervës Federale (shpesh i shkurtuar si Rezerva Federale ose thjesht Fed) është sistemi qendror bankar i Shteteve të Bashkuara. Ai u krijua më 23 dhjetor 1913 me miratimin e Aktit të Rezervës Federale, pas një serie “paniku” financiar (veçanërisht paniku i vitit 1907), që çuan në dëshirën për kontroll qendror të sistemit monetar për të lehtësuar krizat financiare.

Gjatë viteve, ngjarje të tilla si Depresioni i Madh në vitet 1930 dhe Recesioni i Madh gjatë viteve 2000 kanë çuar në zgjerimin e roleve dhe përgjegjësive të Sistemit të Rezervës Federale.

Kongresi përcaktoi tre objektiva kryesore për politikën monetare në Aktin e Rezervës Federale: maksimizimin e punësimit, stabilizimin e çmimeve dhe moderimin e normave të interesit afatgjata. Dy objektivat e para shpesh referohen si mandati i dyfishtë i Rezervës Federale.

Detyrat e saj janë zgjeruar ndër vite dhe aktualisht përfshijnë edhe mbikëqyrjen dhe rregullimin e bankave, ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar dhe ofrimin e shërbimeve financiare për institucionet depozituese, qeverinë e SHBA-së dhe institucionet zyrtare të huaja. FED gjithashtu kryen kërkime mbi ekonominë dhe ofron publikime të shumta, si “Libri Bezh” dhe baza e të dhënave FRED. /Telegrafi