Republikanët fitojnë shumicën në Senat; rezultati i zgjedhjeve për Dhomën e Përfaqësuesve ende i paqartë
Foto: AP

Republikanët fitojnë shumicën në Senat; rezultati i zgjedhjeve për Dhomën e Përfaqësuesve ende i paqartë

Bota November 06, 2024 - 16:37

Në zgjedhjet e së martës, republikanët fituan shumicën në Senat, duke siguruar të paktën 52 nga 100 vendet. Kjo do t’u japë republikanëve mundësinë të miratojnë me shpejtësi emërimet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump të anëtarëve të kabinetit të tij. Senati gjithashtu ka kompetencat për miratimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Republikanët u kanë marrë deri tani tre vende demokratëve në Senat.

Republikani Bernie Moreno fitoi ndaj senatorit demokrat të Ohajos Sherrod Brown. Zoti Moreno, një biznesmen, e quajti senatorin Brown, i cili kërkonte mandatin e tretë si senator, një politikan shumë liberal për shtetin konservator të Ohajos, duke e lidhur atë me politikat e Presidentit Biden dhe Nënpresidentes Harris.

Republikanët përmbysën edhe garat për Senat në Nebraska dhe Virxhinian Perëndimore.

Ndërkohë rezultati i zgjedhjeve për Dhomën e Përfaqësuesve, e cila tani kontrollohet nga republikanët, ende nuk është i qartë. Rezultatet e garave për 100 vende të Dhomës së Përfaqësuesve ende nuk janë shpallur. Deri të mërkurën në mëngjes nuk pati rezultate të papritura, me republikanët që kanë siguruar 198 vende dhe demokratët 180. Për sigurimin e shumicës duhet fitorja e 218 nga 435 vendet që ka Dhoma e Përfaqësuesve.

Vëmendja është përqendruar në Nju Jork dhe Kaliforni, ku demokratët po përpiqen të përmbysin rezultatin në rreth 10 gara ku republikanët shënuan fitore befasuese në zgjedhjet e fundit për në Kongres para dy vjetësh.

Për të fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët duhet të përmbysin katër vende të republikanëve dhe të mos humbin asnjë prej vendet që kishin para zgjedhjeve, që mund të jetë një detyrë e vështirë veçanërisht në zonat, ku ka fituar Trumpin. /VOA