Liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë urojnë Trumpin
Liderët e vendeve kyçe evropiane i janë bashkuar radhës që urojnë Trumpin, për fitoren që ende nuk është shpallur zyrtarisht.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, e ka uruar Trumpin për atë që e ka cilësuar “fitore historike”.
“Si ndër aleatët më të ngushtë, ne qëndrojmë krahë për krahë me njëri-tjetrin për t’i mbrojtur vlerat tonë të përbashkëta, lirinë dhe demokracinë. E di që lidhja speciale SHBA-Britani do të sjellë prosperitet në të dyja anët e Atlantikut, në vjetët në vijim”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka uruar Trumpin dhe ka thënë se “Gjermania dhe SHBA-ja kanë punuar me sukses për kohë të gjatë, për të promovuar lirinë në të dyja anët e Atlantikut”.
“Ne do të vazhdojmë të veprojmë ashtu në të mirë të qytetarëve tanë”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se është i gatshëm të punojë me Trumpin sikurse në mandatin e kaluar.
“Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, ka thënë Macroni përmes një postimi në X – platformën e njohur më parë si Twitter.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e ka uruar, po ashtu, Trumpin dhe ka thënë se Evropa është gati.
“Për të bashkëpunuar, teksa adresojmë sfidat e pashembullta gjeopolitike. Për t'i mbajtur të forta lidhjet transatlantike, që kanë rrënjë në vlerat e përbashkëta, liri, të drejta të njeriut, demokraci dhe tregje të hapura”.
09:36 Zelensky uron Trumpin dhe llogarit në mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka uruar, po ashtu, Trumpin për “fitoren impresionuese në zgjedhje”.
“Rikujtoj takimin tonë të mrekullueshëm me Trumpin në shtator, kur kemi diskutuar në hollësi për partneritetin strategjik Ukrainë – SHBA, Planin e Fitores dhe rrugët për t’i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës. E çmoj përkushtimin e Trumpit për qasjen për ‘paqe përmes forcës’ kur vjen puna për çështjet globale. Ky është saktësisht parimi që mund të afrojë Ukrainën me paqen. Mezi presim për një epokë të SHBA-së së fuqishme nën udhëheqësinë e Trumpit. Ne llogarisim në mbështetjen e fuqishme dypartiake në SHBA për Ukrainën”, ka thënë Zelensky në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Ai ka thënë se Ukraina, me njërën prej ushtrive më të fuqishme në Evropë, është e përkushtuar për të garantuar paqe afatgjatë dhe siguri në Evropë dhe komunitetin transatlantik, me mbështetjen e aleatëve.
09:06: Trumpi shpall fitoren
Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale, pasi televizioni “Fox News” parashikoi se ai e ka mposhtur demokraten Kamala Harris.
“Amerika na ka dhënë një mandat të pashembullt dhe të fuqishëm”, tha ai të mërkurën herët para një turme të ngazëllyer, raporton agjencia “Reuters”.
Kandidati republikan për nënpresident, JD Vance, e falënderoi ish-presidentin Trump që e lejoi t’i bashkohej fushatës së tij.
Duke folur para turmës në West Palm Beach, Vance e falënderoi Trumpin për, siç tha ai, “besimin që e ke vendosur mbi mua”.
“Mendoj se ne porsa ishim dëshmitarë të rikthimit më të madh politik në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Vance, edhe pse votat ende janë duke u numëruar në disa shtete.
Ai premtoi se Trumpi dhe ai tani “do ta udhëheqin rikthimin më të madh ekonomik në historinë amerikane”.
Mediat e tjera ende nuk e kanë shpallur të mbyllur garën, por duket se ai është buzë fitores, pasi u shpall triumfues në shtete kyçe si Pensilvania, Karolina e Veriot dhe Georgia, si dhe është në epërsi aktualisht në katër shtetet e tjera të rëndësishme, sipas qendrës “Edison Research”.
Trumpi e përmendi pak vrasjen në tentativë që u bë ndaj tij në korrik, kur një plumb ia rroku veshin në një tubim.
Ai tha para turmës se “u shpëtua për një arsye”, siç kishte thënë disa herë gjatë fushatës.