SHBA: Parregullsitë që u raportuan në zgjedhje
Në shtetin juglindor të Xhorxhias, dy qendra votimi u evakuuan për rreth 30 minuta, për shkak të kërcënimeve me bomba, të cilat, sipas FBI-së, duket se u bënë nga domenet ruse.
FBI-ja tha se qendrat e votimit në disa shtete ishin cak i kërcënimeve, të cilat autoritetet i konsideruan si jo të besueshme.
Qysh më herët, zyrtarët amerikanë të inteligjencës dhe sigurisë akuzuan Rusinë dhe Iranin për shtimin e sulmeve kibernetike dhe të fushatave të dezinformimit, me synimin për të shkaktuar përçarje në zgjedhje.
Në Uashington, policia arrestoi një burrë që u përpoq të hynte në ndërtesën e Kongresit me pistoletë.
Policia tha se burri u ndalua gjatë kontrollit të sigurisë në Qendrën e Vizitorëve të Kongresit.
Në shtetin e Pensilvanisë, vëzhguesit republikanë të votimeve thanë se nuk u lejuan të hynin në disa qendra votimi, por çështja më vonë u rregullua.
Disa probleme teknike në Illinois dhe Kentaki i vonuan gjithashtu votimet, por edhe këto çështje u rregulluan shpejt.
Shiu i furishëm në Misuri shkaktoi përmbytje që e bënë vështirë të arritshëm një vendvotim në zonën e Shën Luisit dhe ndërprenë energjinë elektrike në një tjetër.
Zyrtarët zgjedhorë thanë se përdorën gjeneratorë për të vazhduar operacionet zgjedhore. /Rel