OKB: Rebelët Houthi janë shndërruar në një forcë të fuqishme ushtarake me ndihmën e Iranit

OKB: Rebelët Houthi janë shndërruar në një forcë të fuqishme ushtarake me ndihmën e Iranit

Bota November 03, 2024 - 18:20

Ekspertët e OKB-së vlerësojnë se rebelët Houthi të Jemenit janë transformuar nga një grup i armatosur lokal me aftësi të kufizuara në një organizatë të fuqishme ushtarake me mbështetjen e Iranit, grupet e armatosura irakiane, militantët e Hezbollahut të Libanit dhe të tjerë.

Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, kanë shfrytëzuar luftën Izrael-Hamas në Gaza dhe kanë punuar për të përmirësuar statusin e tyre në “Boshtin e Rezistencës” të Iranit për të fituar popullaritet në rajon dhe më gjerë, thanë ekspertët që monitorojnë sanksionet kundër Houthive.

Për të mbështetur militantët e Hamasit në Gaza, Houthi-t kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke ndërprerë transportin global në një zonë kyçe gjeopolitike.

Pavarësisht pretendimeve të Houthi-ve se ata do të synonin anijet e lidhura me Izraelin, ekspertët thanë se hetimet zbuluan se rebelët kishin synuar anijet pa dallim.

Analiza e të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare Detare, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar zbuloi se të paktën 134 sulme u kryen nga zonat e kontrolluara nga Houthi kundër anijeve tregtare dhe luftanijeve amerikane dhe britanike në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit midis 15 nëntor 2023 dhe 31 korrik 2024.

“Kalimi i grupit drejt veprimeve në det rriti ndikimin e tyre në rajon,” thanë ekspertët e OKB-së. “Një shkallë e tillë sulmesh, duke përdorur sisteme armësh mbi anijet civile, nuk kishte ndodhur kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Sipas ekspertëve, numri i luftëtarëve të Houthi vlerësohet në 350,000 tani, krahasuar me 220,000 në 2022 dhe 30,000 në 2015.

“Paneli vëzhgon transformimin e Houthi nga një grup i armatosur me aftësi të kufizuara në një organizatë të fuqishme ushtarake, duke i shtrirë aftësitë e tyre operacionale edhe përtej territoreve nën kontrollin e tyre,” thuhet në raport. /abcnews