Trumpi premton shkarkimin e Jack Smith, prokurorit që ngriti aktakuzën ndaj krerëve të UÇK-së

Trumpi premton shkarkimin e Jack Smith, prokurorit që ngriti aktakuzën ndaj krerëve të UÇK-së

Bota October 24, 2024 - 21:11

Ish-presidenti Donald Trump ka shprehur një qëndrim të qartë për Këshilltarin e Posaçëm të Departamentit të Drejtësisë (DOJ), Jack Smith, duke thënë se nëse ai do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, do ta shkarkonte atë “brenda dy sekondave”.

Kjo deklaratë u bë gjatë një interviste me Hugh Hewitt, një prezantues të njohur konservator të radios, në të cilën Trump diskutoi për sfidat ligjore që po përballet, përfshirë akuzat që i janë ngritur për përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara, shkruan “Associated Press”

Trump, i njohur për kritikat e tij të vazhdueshme ndaj Smithit, e quajti atë një “person të shtrembër” dhe theksoi se do ta bënte shkarkimin e Smithit një nga prioritetet e tij të para nëse do të zgjidhej sërish president.

Këshilltari i posaçëm Jack Smith u emërua nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland në vitin 2022 dhe është duke udhëhequr hetimet që kanë ngritur akuza ndaj Trumpit.

Smith, përveç se po kryen hetime në Shtetet e Bashkuara, ka mbajtur më parë pozitën e Kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë. Gjatë mandatit të tij atje, Smith ishte përgjegjës për ngritjen e aktakuzave ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Nëntorin e vitit 2022, ai braktisi këtë detyrë për t’u kthyer në SHBA, me qëllim që të hetonte Trumpin dhe çështjet e tij të lidhura me zgjedhjet e vitit 2020.

Sidoqoftë, ndonëse Trump ka autoritetin të urdhërojë Departamentin e Drejtësisë të heqë Smithin nga detyra, ai vetë nuk ka kompetencën e drejtpërdrejtë për ta shkarkuar atë, për shkak se Smith është një i emëruar presidencial dhe jo një zyrtar të caktuar direkt nga presidenti.