Fshati i Bosnjës i varros 19 viktimat e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut
Rreth 2.000 njerëz morën pjesë të martën në varrimin e 19 njerëzve që humbën jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në Bosnje e Hercegovinë në fillim të këtij muaji.
Ata u varrosën në një ceremoni në komunën e Jabllanicës në jug të Bosnjës. Pjesëmarrësit në varrim qëndruan mbrapa një vargu imamësh dhe liderësh të tjerë fetarë, që përballë kishin 19 arkivolet e mbështjella me pëlhurë të gjelbër, sipas traditës islame.
Trupat e të të vdekurve u përcollën për në varre pastaj dhe u mbuluan me dhe.
Të gjithë 19 viktimat ishin nga Donja Jabllanica, një fshat në Jabllanicë, ku myftiu i madh i Bashkësisë Islame të Bosnjës, Husein Kavazoviq, e udhëhoqi ceremoninë e varrimit.
“Nuk janë të nevojshme fjalët”, tha Kavazoviq, duke iu drejtuar pjesëmarrësve pranë xhamisë së Jabllanicës. “Edhe pse dhembja është e thellë dhe e padurueshme, ne jemi të vetëdijshëm se Zoti vendos për jetën tonë. Ne jemi të vdekshëm”.
Që të gjitha viktimat vdiqën natën e 4 tetorit kur shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu. Stuhia solli grumbuj gurësh, balte dhe ujë në fshat, duke shkatërruar shumë shtëpi.
Në Hercegovinën veriore dhe Bosnjën qendrore, sasia e shiut i zuri njerëzit në befasi, dhe zonat të tëra shkëputën pasi përmbytjet e mëdha shkatërruan rrugët dhe urat.
Përveç 19 njerëzve të vdekur në Donja Jabllanicë, katër persona vdiqën në Konjicë dhe tre të tjerë vdiqën në zonën e Fojnicës. Një person është ende i zhdukur.
Zyrtarët qeveritarë të Bosnjës thanë se shembja e një guroreje ishte shkaktare e numrit të madh të viktimave në Donja Jabllanicë.
Ekipet e shpëtimit nga Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi ndihmuan në kërkimin e personave të zhdukur në zonat e përmbytura gjatë javës së kaluar, ndërsa njësitë e inxhinierisë ndihmuan në përpjekjet e tjera të rimëkëmbjes.
Qeveria e Kosovës njoftoi javën e kaluar se do ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën me 200.000 euro, pas përmbytjeve vdekjeprurëse.
Ndihma u dërgua gjithashtu përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për strehim, gjeneratorë elektrikë, pompa uji dhe pajisje të tjera të nevojshme për personat e zhvendosur, tha Ministria e Sigurisë e Bosnjës më 14 tetor.
Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut i shkatërruan të paktën 230 ndërtesa në Jabllanicë, dhe dëmi i vlerësuar është rreth 25.6 milionë euro. /REL