Shpërthime në Bejrut, Izraeli zgjeron ofensivën tokësore në Liban

Shpërthime në Bejrut, Izraeli zgjeron ofensivën tokësore në Liban

Bota October 06, 2024 - 08:19

Shpërthime të reja të fuqishme kanë tronditur periferitë jugore të Bejrutit ndërsa Izraeli zgjeroi fushatën ushtarake në Liban duke goditur edhe një kamp refugjatësh palestinezë në veri.

IDF konfirmoi se po godiste objektiva pranë Bejrutit dhe tha se rreth 30 predha kishin kaluar nga Libani në territorin izraelit.

Zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari tha se që nga fillimi i operacionit tokësor më 30 shtator, forcat izraelite kanë vrarë 440 militantë të Hezbollahut dhe kanë shkatërruar më shumë se 2,000 objektiva.

“Operacioni tokësor shoqërohet nga dhjetëra sulme ajrore që po vazhdojnë tani në të gjithë Libanin, duke përfshirë Bejrutin. Dje sulmuam selinë kryesore të inteligjencës së Hezbollahut në zemër të Dahiyeh. Ne jemi ende duke kontrolluar rezultatet e sulmit dhe do të përditësojmë më vonë”, tha Hagari.

Dhe në një postim në X, IDF tha se kishte gjetur dhe shkatërruar një tunel 250 metra të gjatë në Libanin jugor, shkruan EuroNews, përcjell telegrafi.

Sulmet e fundit izraelite thuhet se kishin në shënjestër një ndërtesë pranë një rruge që të çon në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Libanit dhe një ndërtesë tjetër të përdorur më parë nga transmetuesi Al-Manar i drejtuar nga Hezbollahu.

Ndryshe, Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të Hamasit në Liban që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në tetor, përveç shumicës së lidershipit të lartë të Hezbollahut me bazë në Liban, ndërsa luftimet janë përshkallëzuar ndjeshëm.

Të paktën 1,400 libanezë, përfshirë civilë, mjekë dhe luftëtarë të Hezbollahut, janë vrarë dhe 1.2 milionë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre në më pak se dy javë.

Izraeli thotë se synon të largojë grupin militant nga kufiri i tyre i përbashkët në mënyrë që mijëra izraelitë të zhvendosur të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.