Si do të duket NATO-ja nën udhëheqjen e Ruttes?
Foto: AFP

Si do të duket NATO-ja nën udhëheqjen e Ruttes?

Bota October 01, 2024 - 14:36

Më 1 tetor, Mark Rutte mori postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s nga norvegjezi Jens Stoltenberg.

Rutte, që ishte kryeministri më jetëgjatë në historinë e Holandës, shihet si një “kandidat i vazhdimësisë”.

Sikurse Stoltenbergu, i cili shërbeu për një dekadë në krye të aleancës ushtarake, Rutte njihet për talenti e tij që të arrijë kompromise të vështira politike. Ai gëzon mbështetje të madhe në mesin e shteteve kyçe anëtare.

Do të jetë një fillim i butë për holandezin. Më 17-18 tetor, në selinë në Bruksel do të mbahet takimi vjetor i 32 ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Më pas, ministrat e Jashtëm do të mblidhen në kryeqytetin belg më 3-4 dhjetor. Megjithatë, nuk pritet që këto takime ministrore të prodhojnë ndonjë rezultat të madh.

Fillimisht, Rutte pritet që të zhvillojë vizita në kryeqytetet kyçe të NATO-s. Edhe pse është larg, ai po ashtu duhet të nisë përgatitjet për samitin e NATO-s që do të mbahet më 24-26 qershor 2025 në vendlindjen e tij, Hagë. Në mënyrë që të çimentojë pozitën e tij brenda organizatës ushtarake, është e rëndësishme që ky samit të ketë sukses.

Në krye të agjendës së tij, janë tri çështje që ai pritet t’i trajtojë: mbrojtja kolektive e NATO-s, mbështetja për Ukrainën dhe një strategji e re për Rusinë.

Asnjë nga këto gjëra nuk është e re. Në fakt, Stoltenbergu e shpenzoi shumicën e mandatit të tij duke u marrë me të njëjtat gjëra. Norvegjezi ishte, sipas diplomatëve me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, gjithmonë duke kërkuar që të përdorej dykuptimësi në komunikatat e NATO-s sa i përket Ukrainës. Ai po ashtu raportohet se ishte kyç në sigurimin e një qendre komanduese për Ukrainën në qytetin gjerman të Viesbadenit, për të koordinuar ndihmën e sigurisë për Kievin.

Në të ardhmen, Rutte do të jetë përgjegjës në tranzicionin e organizatës nga një lloj ndërmarrjeje disi amerikane në një që do të përfshijë numër më të madh të aleatëve të NATO-s. Me gjasë, ai po ashtu do të angazhohet për vazhdimin e mbështetjes së aleancës për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Në këtë drejtim, ai ka raport të mirë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kur ishte kryeministër holandez, ai ndihmoi në dërgimin në Ukrainë të avionëve luftarakë F-16, siguroi sanksione më të ashpra ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Moskës, pavarësisht varësisë holandeze në tregti me Rusinë, dhe ndihmoi që Ukraina të lëvizte drejt anëtarësimit në BE.

Një nga gjërat që ai duhet të merret, në terma afatshkurtër, është çështja e ndërlikuar nëse Ukraina do të marrë ftesë për t’iu bashkuar NATO-s. Ka shpresë në Ukrainë se SHBA-ja – pjesërisht për shkak të rezultatit të politikës së jashtme të presidentit në largim, Joe Biden – do të pajtohet për këtë gjë së shpejti.

Diplomatët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në NATO, megjithatë, nuk janë të sigurt se kjo do të ndodhë. Gjermania, Hungaria, Sllovakia ende nuk janë të bindura se Ukraina i përket aleancës ushtarake, plus ka edhe shtete të tjera evropiane që po ashtu nuk janë të sigurta. Nuk ka pasur një lëvizje reale për këtë çështje nga ajo që liderët ishin pajtuar në samitin e Uashingtonit që u mbajt gjatë verës, tha një diplomat, duke iu referuar fjalisë se “ne do të jemi në pozitë për t’i dërguar ftesë Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës kur aleatët të pajtohen dhe kushtet të jenë plotësuar”.

Është po ashtu edhe çështje e mbrojtjes kolektive. Për këtë çështje ka boshllëqe, veçmas në krahun lindor të aleancës. Një gjë që aleanca duhet të adresojë dhe bëhet fjalë për sigurimin e më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore për krahun e cenueshëm lindor.

Në fund, çështja ka një emërues: duhen më shumë shpenzime në mbrojtje. Njëzet e tre nga 32 aleatët e NATO-s shpenzojnë 2 për qind të GDP-së në mbrojtje dhe ky fakt është i mirëpritur në Bruksel, por siç për REL-in një ambasador i një shteti të aleancës: shpenzimi i 2 për qind në mbrojtje nuk është në adekuat dhe duhet që shpenzimet të jenë diku afër 3.5 për qind. Pyetja është nëse Rutte, që kur ishte kryeministër njihej si shpenzues i kujdesshëm, mund të bindë të tjerët të hapin kuletën.

Më pas është Rusia. Rishikimi i politikës së NATO-s sa i përket Rusisë do të jetë lart në agjendë në samitin e Hagës që mbahet vitin e ardhshëm. NATO-ja veçse është pajtuar në samitin e Uashingtonit se “Rusia mbetet kërcënimi më i madh dhe më direkt për sigurinë e aleatëve”. Por, çështja nëse NATO-ja do të shkojë më tej, ndoshta do të ketë ndonjë lloj “politike të përmbajtjes”, edhe pse shumë nuk e pëlqejnë ndërlidhjen e kësaj fraze me atë të një politike të stilit të Luftës së Ftohtë.

Dhe çfarë me Këshillin NATO-Rusi, që nuk është takuar që para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës? Dhe çfarë me Aktin për Financimin NATO-Rusi të vitit 1997, që vendosi udhëzues politikë midis aleancës dhe Kremlinit?

Duke pasur parasysh prirjen e Ruttes për kompromis dhe udhëheqjen e tij me një shtet që është anëtar edhe i BE-së, edhe i NATO-s, shumë presin, ose të paktën shpresojnë, se ai mund të përmirësojë bashkëpunimin NATO-BE. Ndoshta jo dhe aq nga aspekti institucional, por nga ai joformal pra anëtar me anëtar. Po ashtu, vazhdon të ketë një ngërç mes Qipros (nga ana e BE-së) dhe Turqisë (nga ana e NATO-s) që rezulton në bllokimin më të thellë të veprimeve të përbashkëta formale mes dy institucioneve.

Ka gjasa që për këtë ka pajtim. Shefja në ardhje e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe shefi i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, janë mbështetës të flaktë të bashkëpunimit transatlantik. Kjo vlen edhe për Andrius Kubilius, ish-kryeministri lituanez që është propozuar që të jetë komisionari i ri për Mbrojtje i BE-së.

Çfarëdo që të ndodhë, Rutte nuk do ta ketë të lehtë. Pa dyshim që do të ketë probleme me Hungarinë. Budapesti ishte shteti i fundit anëtar i NATO-s që dha mbështetjen për Rutten. Plus, holandezi dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, janë përplasur më herët, veçmas kur Rutte kërkoi që disa fonde të BE-së, që ishin të destinuara për Hungarinë, të ngriheshin.

Rutte njihet nganjëherë edhe si "pëshpëritës i Trumpit". Ai thuhet se ka ndihmuar për ta bindur atë se shtytja e tij, ka qenë ajo që ka kontribuar që aleatët evropianë t'i rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Kështu që nëse Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, kjo marrëdhënie do të jetë kyçe.

Rutte po ashtu duhet të zgjedhë zëvendësin e tij. Dy kandidatet që dihen për postin e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm janë ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, dhe ish-ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Mariya Gabriel. Shekerinska konsiderohet më favorite dhe po ashtu ka mundësi që ish-presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, të jetë në garë për këtë post.

Ka një dëshirë brenda NATO-s që postet kyçe t’iu jepen grave dhe të anëtarëve që janë në lindje të aleancës. Por, një burim në NATO i tha REL-it: “Ne gjithashtu dëshironim që një grua nga Evropa Lindore të ishte në postin e sekretares së Përgjithshme të OKB-së dhe në vitin 2017 përfunduam me një burrë portugez, Antonio Guterres”. /REL