Konflikti Izrael-Hezbollah, shefi i OKB-së: Libani rrezikon të kthehet në një Gaza tjetër

Konflikti Izrael-Hezbollah, shefi i OKB-së: Libani rrezikon të kthehet në një Gaza tjetër

Bota September 23, 2024 - 00:09

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres deklaroi se është i shqetësuar se Libani mund të transformohet në një Gaza tjetër ndërsa konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut përshkallëzohet.

“Ajo që më shqetëson mua është mundësia që Libani të kthehet në një Gazë tjetër”, tha shefi i OKB-së në një intervistë të shkurtër me CNN teksa fillon java e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Shefi i OKB-së tha se shpërthimi i pajisjeve të komunikimit në Liban do të thotë se ekziston një “potencial për një përshkallëzim shumë më të fortë”, që mund të jetë një “tragjedi shkatërruese për botën”.

Guterres gjithashtu vuri në dukje se një vit pas fillimit të luftës në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit, asnjëra palë e konfliktit me të vërtetë nuk dëshiron një armëpushim.

“Ajo që është në tryezë është mjaft e arsyeshme,” tha ai, duke iu referuar propozimeve të armëpushimit për t’i dhënë fund luftimeve. “Të dyja palët duhet të jenë në gjendje të pranojnë. Dhe deri më tani, ne shohim se sa herë që ka një zhvillim të ri, lindin disa komplikime të reja. Dhe për mua është e qartë se të dyja palët nuk janë të interesuara për një armëpushim.”

Për muaj të tërë, Izraeli dhe Hamasi kanë zhvilluar bisedime për armëpushim përmes ndërmjetësve, por diskutimet kanë ngecur në javët e fundit për mosmarrëveshje të ndryshme, duke përfshirë praninë e trupave izraelite përgjatë kufirit Egjipt-Gaza, i njohur si korridori i Filadelfit, pas një marrëveshjeje. /abcnews