Tërmet në Bosnjë, dridhjet ndjehen deri në Kroaci
Bota
September 22, 2024 - 18:52
Një tërmet me magnitudë 4.5 shkallësh të Rihterit e ka goditur sot Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa dridhjet janë ndjerë edhe në Kroaci.
Sipas qendrës sizmologjike mesdhetare (EMSC) tërmeti e pati epiqendrën 39 kilometra veriperëndim të Zenicës, në një thellësi prej dhjetë kilometrash dhe 29 kilometra në verilindje të Knezhevit.
Tërmetin e ndjenë më së shumti qytetarët e Teshnjas që, siç raportojnë mediat boshnjake, kanë thënë se dridhjet zgjatën rreth 20 sekonda.
Dridhjet u ndjenë edhe në Travnik, Zenicë, Zavidoviq, Çelnicë, Banja Llukë dhe Gradaç.
Aktualisht nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar.