Vazhdojnë përmbytjet në Evropë, stuhia Boris godet Italinë
Rreth një mijë njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në rajonin verior të Italisë, Emilia-Romagna, pas përmbytjeve shkatërruese dhe rrëshqitjeve të dheut.
Këto përmbytje u shkaktuan nga stuhia Boris, e cila më parë kishte shkaktuar kërdi në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke lënë të vdekur të paktën 24 njerëz.
Shiu i rrëmbyeshëm përfshiu të njëjtat zona të Emilia-Romagna që u prekën keq nga përmbytjet në maj të vitit 2023, të cilat vranë 17 njerëz dhe shkaktuan dëme prej 8,5 miliardë eurosh.
Bëhet e ditur se shkollat ënë rajon janë mbyllur, linjat hekurudhore janë ndërprerë e po ashtu disa rrugë janë bllokuar nga rrëshqitjet e dheut.
Zjarrfikësit kanë kryer më shumë se 500 operacione shpëtimi, duke përfshirë përdorimin e helikopterëve për të nxjerrë njerëzit nga shtëpitë e përmbytura.
“Ne jemi në një emergjencë të plotë, ngjarja është e ngjashme me atë që patëm majin e kaluar”, tha kryebashkiaku i Ravenës, Michele De Pascale.
Megjithatë, nuk raportohet për vdekje nga përmbytjet e fundit, të cilat kanë prekur edhe pjesë të rajonit fqinj Marche, shkruan the Guardian.
Zemërimi po rritet mes banorëve për përparimin e ngadaltë të punimeve që synojnë të ndihmojnë në mbrojtjen e rajonit nga përmbytjet.
“Shtëpia ime është shkatërruar edhe një herë”, tha një banor në Faenza.
“Është e turpshme, politikanët nuk bëjnë asgjë”, shtoi ai.
Bëhet e ditur se reshjet ekstreme po bëhen më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit në pjesën më të madhe të botës.
Italia është ndër vendet me rrezik klimatik të Evropës.
Vetëm këtë verë ajo ka duruar valë të papara të të nxehtit, thatësi, zjarre, stuhi dhe përmbytje të rënda.
Angelo Bonelli, i cili drejton partinë e majtë Alleanza Verdi e Sinistra, i kërkoi Melonit të shpjegonte strategjinë e qeverisë së saj në adresimin e krizës klimatike.
“Nuk ka vullnet për t’u përballur me krizën klimatike”, tha Angelo.
“E vërteta është se kriza klimatike shkakton dëme ekonomike. Çështja e klimës nuk duhet të ketë një karakterizim politik. Fatkeqësisht, është një fakt objektiv me të cilin duhet të përballemi. Kryeministrja, Meloni, duhet t’i tregojë parlamentit se cilat iniciativa ka ndërmend të miratojë”, shtoi ai.
Ndërkohë, deputetja Alice Buonguerrieri tha se do të paraqesë një ankesë te prokurorët “për të përcaktuar përgjegjësinë” për përmbytjet e fundit.
Ajo pretendon se autoritetet e qendrës së majtë të rajonit kanë shpenzuar vetëm 49 milionë euro nga 130 milionë euro të akorduara nga qeveria vitin e kaluar për të ndërtuar mbrojtje kundër përmbytjeve.
Ndryshe, në Evropën Lindore dhe Qendrore, përmbytjet ishin më të këqijat në dy dekada.
Të paktën 24 persona kanë vdekur, pesë në Republikën Çeke, shtatë në Rumani, shtatë në Poloni dhe pesë në Austri.
Dëmi llogaritet të kap vlerën e miliarda eurove, me rrugë, ura dhe linja hekurudhore të shkatërruara dhe lagje të tëra të zhytura në ujë. /abcnews