Shiu më i madh në dekada godet Evropën, shtetet që rrezikohen nga përmbytjet
Të paktën katër persona kanë vdekur, mijëra shtëpi janë dëmtuar dhe qindra janë evakuuar pas shiut më të dendur në vite që goditi Evropën Qendrore dhe Lindore.
Një sistem i ngadalshëm me presion të ulët i quajtur Stuhia Boris hodhi shi në disa nga kryeqytetet historike të Evropës, duke përfshirë Vjenën, Bratislavën dhe Pragën.
Bëhet e ditur se katër persona kanë vdekur në Rumani, ku reshjet lanë qindra të bllokuar në zonat e përmbytura.
Shërbimet e shpëtimit janë nisur në qarqet e goditura fort pasi autoritetet paralajmërojnë se kanë regjistruar reshjet më të mëdha në 100 vjet gjatë 24 orëve të fundit.
“Efektet ishin më kritike në shtatë lokalite”, tha Ministri i Brendshëm i Rumanisë, Catalin Predoiu.
Lumenjtë kanë shpërthyer në Poloni dhe Republikën Çeke, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Në jug të Polonisë, autoritetet urdhëruan evakuimin e banesave në qytetin Glucholazy. Niveli i lumit Biala Glicholaska u rrit me dy metra.
Pas qindra incidenteve të raportuara nga Ministri i Brendshëm i Polonisë, qeveria e Polonisë tha se “po fokusoheshin në atë se cilat do të jenë kërcënimet në orët e ardhshme”.
Përmbytjet e konsiderueshme pritet të vazhdojnë në Republikën Çeke, ku autoritetet kanë urdhëruar evakuime të detyrueshme për disa zona.
Pamjet e publikuara nga Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Republikës Çeke treguan rrugët e përmbytura në komunën jugore Benesove nad Cernou.
Në Gjermani, veçanërisht shtetet jugore dhe lindore po përgatiten për përmbytje.
Paralajmërimet për përmbytje janë lëshuar për lumenjtë në shtetin e Saksonisë.
Në Austrinë fqinje, reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar rritjen e nivelit të ujit në disa lumenj, duke çuar në thirrjen e shërbimeve të shpëtimit në disa pjesë të vendit.
Alarmet e kuqe, niveli më i lartë i paralajmërimit, janë lëshuar për pjesë të Polonisë, Gjermanisë, Republikës Çeke, Austrisë dhe Sllovakisë. Ky nivel alarmi është i lidhur me “fenomene meteorologjike intensive” dhe “ka të ngjarë të ketë dëme të mëdha”, sipas Meteoalarm.