Papa “ndërhyn” në zgjedhjet amerikane: Votoni të keqen më të vogël
Papa Francesku është shfaqur i pakënaqur me të dy kandidatët për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për këtë arsye ka lëshuar kritika ndaj tyre.
Kreu i Kishës Katolike kritikoi planin e ish-presidentit Trump për të dëbuar emigrantët, teksa nuk la pa dhënë një mesazh dhe për qëndrimin e Kamala Harris në lidhje me të drejtat e abortit.
Gjatë fluturimit të tij drejt Romës, pas përfundimit të vizitës 12 ditore në Azinë Lindore, Ati i Shenjtë e cilësoi një mëkat të rëndë mospritjen e emigrantëve, teksa për abortin përmendi fjalën vrasje, shkruan A2.
Për këtë arsye ai lëshoi dhe një thirrje dhe për katolikët amerikanë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA.
“Të mos votohet është e shëmtuar, nuk është mirë, ju duhet të votoni. Ju duhet të zgjidhni të keqen më të vogël. Kush është e keqja më e vogël? Zonja apo ai zotëria? Nuk e di. Të gjithë, në ndërgjegje, duhet të mendojnë dhe ta bëjnë këtë”, tha Papa Françesku.