BE-ja heq nënën e Prigozhinit nga lista e të sanksionuarve
Bashkimi Evropian e ka larguar të premten prej listës së sanksioneve, Violetta Prigozhinan, nënën e liderit të ndjerë të grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin.
Bashkimi Evropian ka ngrirë asetet dhe ka vënë ndalesë në viza për 2.300 njerëz dhe subjekte prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Vendimi i BE-së për të larguar Prigozhinan prej listës së sanksioneve është bazuar në vendimin e marrë prej Gjykatës së Përgjithshme të BE-së, në mars të vitit 2023.
Kjo gjykatë e BE-së pati vendosur, atëbotë, që futja e Prigozhinas në listë të sanksioneve është bazuar vetëm në lidhjet familjare me Prigozhinin, dhe që nuk ka të dhëna të mjaftueshme se ajo ka pasur ndikim në rolin e djalit të saj në luftën në Ukrainë.
Sipas gjykatës, BE-ja e ka futur Prigozhinan në listën e sanksioneve, me arsyetimin se ajo është pronare e kompanisë Concord Management and Consulting LLC, pjesë e grupit Concord, të themeluar dhe në pronësi të djalit të saj deri më 2019, dhe që udhëheq biznese tjera të lidhura me djalin e vet.
Gjykata ka thënë se Prigozhina, edhe pse ka aksione në Concord, nuk është pronare e kompanisë prej vitit 2017.
BE-ja, po ashtu, nuk ka arritur të vërtetojë se Prigozhina ka udhëhequr biznese tjera të lidhura me djalin e saj kur janë miratuar sanksionet.
Prigozhina është shtuar në listën e sanksioneve të BE-së, më 23 shkurt 2022, një ditë para nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në atë listë gjenden edhe anëtarë tjerë të Qeverisë ruse, banka, biznesmenë dhe ligjvënës.
Prigozhin, aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, për kohë të gjatë, ka vdekur bashkë me nëntë persona tjerë, në një rrëzim misterioz të aeroplanit në gusht të vitit 2023, dy muaj pas nisjes së një rebelimi kundër udhëheqësisë ushtarake ruse.
Ushtria e tij private, Wagner, ka luajtur rol të madh në avancimin e Rusisë në Ukrainë.