Kina rrit moshën e pensionimit për herë të parë në dekada
Kina do të “rrisë gradualisht” moshën e pensionimit, për herë të parë prej viteve ’50, pasi shteti po përballet me plakje të popullsisë dhe vështirësi në sigurim të buxhetit për pensione.
Institucioni kryesor legjislativ ka miratuar të premten propozimet për të rritur moshën e pensionimit prej 50 në 55 për gratë që kryejnë punë fizike dhe prej 55 në 58 për gratë që kryejnë punë nëpër zyre.
Mosha e pensionimit të burrave do të rritet prej 60 në 63.
Mosha aktuale e pensionimit në Kinë është ndër më të ulëtat në botë.
Sipas një plani të miratuar të premten, ndryshimet do të nisin së zbatuari më 1 janar 2025, me synim që mosha e pensionimit të rritet për disa muaj përgjatë 15 vjetëve të ardhshëm, ka thënë media shtetërore kineze.
Duke nisur prej vitit 2030, punëtorët do të duhet të ndajnë më shumë kontribute për sistemin e sigurisë shoqërore, në mënyrë që të sigurojnë pensionet.
Akademia e Shkencave Shoqërore në Kinë, pati thënë më 2019 se, fondi kryesor shtetëror për pensionet, do të mbetet pa para deri më 2035, vlerësim i bërë para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, e cila e ka goditur rëndë ekonominë e Kinës.
Agjencia shtetërore, Xinhua, ka thënë se plani për rritje të moshës së pensionimit është bazuar në “vlerësimet e kryera për jetëgjatësinë, situatën shëndetësore, strukturën e popullsisë, nivelin e edukimit dhe fuqinë punëtore në Kinë”.
Shumë banorë janë shprehur të pakënaqur me ndryshimet e reja.
Popullsia e Kinës është zvogëluar më 2023, për të dytin vit me radhë, kryesisht për shkak të uljes së shkallës së natalitetit.
Ndërkohë, jetëgjatësia mesatare e një banori të Kinës është rritur në 78.2 vjet, kanë thënë zyrtarët më herët gjatë vitit. /REL