Sekretari amerikan i Shtetit dhe homologu i tij britanik do të vizitojnë Ukrainën këtë javë
Kryediplomati amerikan Antony Blinken dhe Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy, kanë thënë se do të vizitojnë Ukrainën së bashku këtë javë, pasi paralajmëruan për një përshkallëzim të pushtimit rus në Ukrainë.
Dyshja thanë se ishte një “moment kritik” për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, ndërsa ata zhvilluan bisedime në Londër, transmeton Telegrafi.
Lammy tha se kjo do të ishte “vizita e parë e përbashkët e këtij lloji për një dekadë”, dhe do të demonstronte përkushtimin e Perëndimit ndaj Ukrainës.
Bisedimet u fokusuan në çështjet ndërkombëtare të ngutshme si luftërat në Gaza dhe Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë dhe aleatëve të saj.
Diplomatët britanikë po e përshëndesin vizitën si një riafirmim të një partneriteti të ngushtë midis dy vendeve, i përshkruar shpesh si “marrëdhënie speciale”.
Udhëtimi i Blinken në Britani të Madhe vjen përpara vizitës së dytë të kryeministrit Keir Starmer në Shtëpinë e Bardhë të premten.
Përfitimet territoriale ruse në Ukrainën lindore dhe një armëpushim në Gaza janë pikat më të spikatura në rendin e ditës gjatë këtij raundi të diplomacisë britaniko-amerikane. /Telegrafi/