Rumania thotë se një dron rus e shkeli hapësirën e saj ajrore
Një dron rus e ka shkelur hapësirën ajrore të Rumanisë gjatë sulmeve të mbrëmshme në shtetin fqinj Ukrainë, tha anëtarja e NATO-s të dielën.
Rumania i bëri thirrje Moskës ta ndalë këtë “përshkallëzim”.
Incidenti ndodhi kur ushtria ruse kreu sulme ajrore “ndaj caqeve civile dhe infrastrukturës së portit” përgjatë lumit të Danubit në Ukrainë, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.
Rumania i dërgoi avionët e vet luftarakë F-16 për ta vëzhguar hapësirën ajrore, si dhe i njoftoi aleatët e vet në NATO, tha Ministria.
Autoritetet gjithashtu u dërguan mesazhe paralajmëruese banorëve në dy rajone lindore.
Autoritetet rumune kanë nisur një hetim për këtë incident.
Prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Rumania ka gjetur copëza të dronëve rusë në territorin e vet në disa raste dhe më së voni në korrik të këtij viti.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë i dënoi fuqishëm sulmet ruse në Ukrainë, duke i cilësuar ato si “të paarsyeshme dhe në kundërshtim të thellë me normat e ligjit ndërkombëtar”.
Disa njerëz janë vrarë dhe plagosur si pasojë e sulmeve ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës gjatë natës, njoftuan zyrtarët ukrainas të dielën.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, ushtria ruse kreu sulme natën e kaluar dhe mëngjesin e sotëm me katër raketa të telekomanduara nga rajoni Belgorod i Rusisë, si dhe me 23 dronë të prodhimit iranian, Shahed.