Pesë të vrarë nga sulmet ruse në Donjeck
Pesë njerëz janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të ushtrisë ruse në rajonin Donjeck në lindje të Ukrainës të shtunën, njoftuan autoritetet rajonale.
Tre burra të moshës mes 24 dhe 69-vjeçare u vranë në qytezën Kostiantinivka, tha guvernatori Donjeckut, Vadym Filashkin, në Telegram. Katër persona të tjerë u plagosën, shtoi ai.
Dy burra të moshës rreth 50-vjeçare u vranë nga sulmet në qytezën Toretsk, rreth 20 kilometra në juglindje të Kostiantinivkas.
Transmetuesi publik i citoi zëdhënësen e zyrës së prokurorit në Donjeck, Anastasia Medvedeva, duke thënë se një grua u plagos në Kostiantinivka.
Rusia kreu sulme edhe në qytetin e Harkivit mbrëmjen e së shtunës, tha zyra e prokurorit rajonal. Prona e një biznesi privat dhe nëntë vetura u dëmtuan, ndërsa u plagos një roje e sigurisë.
Një ndërtesë banimi u përfshirë nga zjarri dhe 10 shtëpi private u dëmtuan në fshatin Mala Danilivka në rajonin e Harkivit. Katër persona u plagosën, tri gra dhe një burrë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, më 6 shtator u bëri thirrje partnerëve aleatë në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Gjermani ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët e tyre për të goditur më thellë brenda tokës ruse.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha pas takimit se asnjë armë e vetme ushtarake nuk është vendimtare për Ukrainën për t’u mbrojtur nga pushtimi i plotë rus, dhe se përdorimi i armëve amerikane për sulme thellë brenda në Rusi nuk do ta kthente luftën në dobi të Ukrainës./REL