NATO-ja e rrit sigurinë në bazën e saj ajrore në Gjermani
Foto:AFP

NATO-ja e rrit sigurinë në bazën e saj ajrore në Gjermani

Bota August 23, 2024 - 14:49

Siguria në një bazë ajrore në perëndim të Gjermanisë është rritur, për shkak të një “kërcënimi të mundshëm”, tha Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

NATO-ja tha se e ka urdhëruar të gjithë stafin joesencial të kthehet në shtëpi si masë mbrojtëse.

Në bazën ajrore në Geilenkirchen, në afërsi të kufirit me Holandën, janë të vendosur avionët e vëzhgimit të Sistemeve të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror të NATO-s, të njohur si AWACS.

Në postimin e saj në rrjetin social X të enjten mbrëma, flota AWACS e NATO-s tha se “e kemi rritur nivelin e sigurisë”, por nuk shpjegoi natyrën e kërcënimit të mundshëm.

Ajo tha se operacionet e saj “vazhdojnë sipas planit”.

Baza në Geilenkirchen tha të premten se nuk ka asgjë për të shtuar në lidhje me atë deklaratë dhe se “gjendja është e pandryshueshme tani për tani”.

Agjenci gjermane e lajmeve DPA tha se një gazetar i saj pa vetura të policisë në bazën ajrore. Policia konfirmoi praninë e saj në bazë të enjten mbrëma, por nuk dha hollësi të premten në mëngjes.

Javën e kaluar, një bazë e madhe e forcave ajrore gjermane në afërsi të Këlnit u mbyll për disa orë, për shkak të frikës se furnizimi i saj me ujë ishte ndotur. Një hetim nuk gjeti prova të ndotjes.

Këto incidente ndodhën në një kohë frike për cenueshmërinë e mundshme të infrastrukturës ndaj tentimeve të Rusisë për sabotim.

Të enjten, prokurorët në Flensburg, në veri të Gjermanisë, thanë se po hetojnë dyshimet për spiunazh që ka për qëllim sabotimin, pa shpjeguar se kush mund të jetë prapa kësaj. /REL