Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, lirohet në këmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit

Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, lirohet në këmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit

Bota August 01, 2024 - 17:52

Shtetet e Bashkuara konfirmuan se gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, dhe ai i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, janë në mesin e personave që u liruan në këmbimin e të burgosurve me Rusinë.

Përmes një deklarate, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se në mesin e të liruarve janë edhe ish-marinsi amerikan, Paul Whelan dhe aktivisti opozitar Vladimir Kara-Murza - me shtetësi ruse dhe britanike - të cilët po mbaheshin në Rusi.

“Ne kemi negociuar lirimin e 16 njerëzve nga Rusia, përshirë pesë gjermanë dhe shtatë shtetas rusë të cilët ishin të burgosur politikë në shtetin e tyre”, tha presidenti amerikan.

“U jam mirënjohës aleatëve tanë që na ndihmuan në negociatat e ndërlikuara për të arritur deri te ky rezultat, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Turqinë”.

Biden tha se nuk do të ndalet deri në lirimin “e çdo amerikani që është i burgosur padrejtësisht apo që mbahet peng kudo në botë derisa të ribashkohet me familjen”.

Këmbimi masiv i të burgosurve mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera, që u krye më 1 gusht, vlerësohet të jetë këmbimi më i madh i këtij lloji që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, - që ka shtetësi të dyfishtë, ruse dhe amerikane - u dënua në korrik nga një gjykatë ruse me gjashtë vjet e gjysmë burgim, për “përhapje të informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse. Ajo ishte ndaluar nga autoritetet ruse prej tetorit të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka dështuar që të regjistrohet si “agjente e huaj”.

“Mirëpresim lajmin për lirimin e menjëhershëm dhe i jemi mirënjohës Qeverisë amerikane dhe të gjithë atyre që punuan pa ndalur për përfundimin e trajtimit të padrejtë të saj nga Rusia”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus.

“Alsuja u shënjestrua sepse është gazetare amerikane, e cila thjesht po tentonte të ndihmonte pjesëtarët e familjes së saj që janë brenda Rusisë. Ajo nuk bëri asgjë gabim dhe sigurisht nuk e meritoi trajtimin e padrejtë dhe ndarjen me forcë nga më të dashurit e saj dhe kolegët”, shtoi ai.

Presidenca turke, sipas Reuters, tha se 26 persona nga shtatë shtete të ndryshme – përfshirë SHBA-në dhe Rusinë – janë këmbyer në Ankara më 1 gusht.

Sipas Reuters, në deklaratën e Presidencës turke u tha se 26 persona shkuan në Ankara nga burgjet në Gjermani, Poloni, Slloveni, Norvegji dhe Bjellorusi.

Më 1 gusht, mediat perëndimore sikurse Bloomberg, Sky News, CNN, dhe media të tjera, duke cituar burime, raportuan se këmbimi i të burgosurve po ndodhte, pasi që nuk dihej vendndodhja e disa të burgosurve politikë të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, duke nxitur spekulime se ata po bëheshin gati për këmbim.

Spekulimet për këmbimin e të burgosurve u rritën ditëve të fundit pasi avokatët mbrojtës të disa të burgosurve të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, thanë se nuk ishin në dijeni të vendndodhjes së klientëve të tyre, një situatë që rëndom ndodh kur të burgosurit zhvendosen. Në mesin e tyre përfshien Kara-Murza dhe aktivisti tjetër opozitar, Ilya Yashin.

Olga Karlova, avokate e ish-marinsit amerikan, Paul Whelan, tha më 31 korrik se ajo nuk e di se ku është klienti i saj dhe se autoritetet në burgun në rajonin Mordovia ku ai ishte i burgosur, i kanë injoruar kërkesat për të konfirmuar nëse ai ndodhet në burg.

Whelan, i cili vuajti një dënim me burgim prej 16 vjetësh për spiunazh, akuzë që ai dhe Uashingtoni e kanë mohuar, ishte një nga më se 10 shtetasit amerikanë që aktualisht mbahen nëpër burgjet ruse, të akuzuar ose të dënuar për akuza që variojnë nga posedimi i drogës dhe vjedhja e deri te tradhtia dhe spiunazhi.

Në shumë raste, akuzat kundër amerikanëve, të cilat përfshinin reporterin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe redaktoren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, janë etiketuar nga punëdhënësit e tyre ose nga Qeveria amerikane si të sajuara ose të motivuara politikisht.

Disa nga dënimet tejkalojnë atë që ekspertët ligjorë thonë se do të ishte normale.

Më herët gjatë 1 gushtit, presidenti i REL-it, Capus, tha se gazetaria nuk është krim duke shprehur shpresën që të liroheshin gjithë të burgosurit politikë dhe gazetarët që po mbaheshin padrejtësisht.

“Tre gazetarëve të tjerë të Rel-it që po mbahen padrejtësisht pas hekurave – dy në Bjellorusi dhe një në Krimenë e kontrolluar nga Rusia – u themi se nuk jeni të harruar. Radio Evropa e Lirë do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të siguruar lirimin tuaj dhe për t'ju ribashkuar me familjet tuaja”, tha ai.

Vetëm disa orë pasi u zbulua zhdukja e Whelanit, avokati mbrojtës i Kara-Murzait, një shtetas i dyfishtë ruso-britanik, tha se atij nuk iu lejua të hynte në burgun e Omskut për të parë klientin e tij, i cili vitin e kaluar u dënua me 25 vjet burgim për tradhti dhe akuza të tjera. /REL

Shkrimin e Plote mund ta gjeni:KETU