Bisedimet e sigurisë SHBA-Japoni, nënvizohet kërcënimi nga Kina

Bisedimet e sigurisë SHBA-Japoni, nënvizohet kërcënimi nga Kina

Bota July 28, 2024 - 19:35

Shefat e mbrojtjes dhe diplomatët e lartë amerikanë dhe japonezë ranë dakord të forcojnë më tej bashkëpunimin ushtarak duke përmirësuar komandën dhe kontrollin e forcave amerikane në vendin e Azisë Lindore dhe duke forcuar prodhimin atje të raketave të licencuara nga Amerika. Ata e cilësuan kërcënimin në rritje nga Kina si “sfidën më e madhe strategjike”.

Në Japoni gjenden 50,000 trupa amerikane, por komandanti i Forcave të SHBA-së në Japoni me seli në Yokota në periferi të Tokios, me detyrë menaxhimin e bazave të tyre, nuk ka autoritet komandues. Udhëzimet vijnë nga Komanda Amerikane për Indo-Paqësorin, në Havai. Planet e fundit do t’i japin komandantit më shumë kompetenca ndërkohë që do të raportojë në komandën në Havai.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u takuan me homologët e tyre japonezë, Yoko Kamikawa dhe Minoru Kihara, në Komitetin Konsultativ të Sigurisë Japoni-SHBA në Tokio, në bisedimet e sigurisë të njohura si “2+2”, ku riafirmuan aleancën e tyre dypalëshe, pasi Presidenti Joe Biden njoftoi tërheqjen nga gara presidenciale e nëntorit.

Sekretari Austin, në fjalën e tij hapëse, tha se Kina “po ndjek një qasje detyruese, duke u përpjekur të ndryshojë status quo-në në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore, si edhe rreth Tajvanit dhe në të gjithë rajonin”, duke shtuar se programi bërthamor i Koresë së Veriut dhe bashkëpunimi i saj i thelluar me Rusinë “kërcënojnë sigurinë rajonale dhe globale”.

Në deklaratën e përbashkët pas bisedimeve, ministrat thanë se politika e jashtme e Kinës “kërkon të riformësojë rendin ndërkombëtar për të përfituar në kurriz të të tjerëve” dhe se “një sjellje e tillë është një shqetësim serioz për aleancën dhe për të gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe përfaqëson sfidën më të madhe strategjike në rajonin Indo-Paqësor dhe më gjerë”.

Prej vitesh, Kina është në konflikt me shumë vende në Azi-Paqësor për shkak të pretendimeve mbi detin e Kinës Jugore dhe pretendimet mbi Tajvanin.

Ajo gjithashtu pretendon se Tajvani është territori i saj. /VOA