Trumpi pritet të shpallë sot emrin e kandidatit republikan për nënpresident

Trumpi pritet të shpallë sot emrin e kandidatit republikan për nënpresident

Bota July 15, 2024 - 20:05

Ish-presidenti Donald Trump, i cili i mbijetoi një përpjekjeje për ta vrarë dy ditë më parë, shkon në Kuvendin Kombëtar Republikan pa përzgjedhur ende emrin e nënpresidentit – por ai tha se do ta bënte këtë gjë të hënën.

Mbetet e paqartë nëse sulmi me armë gjatë tubimit në Pensilvani, ka ndryshuar mendimin e ish-presidentit rreth personit që do të garojë krah tij, si kandidat për nënpresident. Gjatë një bisede telefonike ai i tha gazetarit të kanalit televiziv ‘Fox News’, Bret Baier se kishte në plan ta bënte përzgjedhjen e tij të hënën.

Pas sulmit me armë, zgjedhja e Trump mbart dukshëm më shumë peshë.

Trump ka pohuar vazhdimisht se do të përqëndrohej tek përzgjedhja e dikujt që ishte i kualifikuar për të marrë detyrën si komandant i përgjithshëm.

“Është e domosdoshme të përzgjedhësh dikë që mund të jetë i mirë për çdo rast, për çdo rast të tmerrshëm”, tha ai në muajin maj gjatë një interviste për programin radiofonik “The Clay Travis & Buck Sexton Show“.

Në një tjetër intervistë për gazetarin e ‘Fox News-it’, Harris Faulkner e cila u regjistrua disa orë përpara tubimit të tij në Battlër të Pensilvanisë, zoti Trump u pyet se ku ndodhej me procesin e përzgjedhjes së kandidatit për nënpresident e nëse vendimmarrja e tij do të ndryshonte nëse Presidenti Joe Biden, do të tërhiqej nga gara.

“Është një pozicion shumë i rëndësishëm veçanërisht nëse diçka e keqe ndodh”, tha zoti Trump. “Kjo është më e rëndësishmja, nëse mund të ndodhë diçka e keqe“.

Personat e përfshirë në listën e ngushtë të zotit Trump kanë nivele të ndryshme të përvojës qeverisëse. Senatori i Ohajos JD Vance për shembull, ka qenë në detyrë më pak se dy vjet, ndërsa guvernatori i Dakotës së Veriut Doug Burgum drejton një shtet me një popullsi prej 780,000 banorësh, më e vogël se Kolombus i shtetit Ohajo me 908,000 banorë. Senatori i Floridës, Marco Rubio, ka qenë në politikë për dekada dhe është në mandatin e tretë të tij në Senat.

Para sulmit me armë, zoti Trump e kishte bërë të qartë se donte ta shpallte emrin në mënyrë dramatike në kuvend, çka sipas tij do ta bënte më “interesant” dhe “më emocionues” procesin.

“Është si një version shumë i sofistikuar i “The Apprentice”, tha ai në një intervistë radiofonike javën e kaluar, duke iu referuar një program televiziv që ai ka drejtuar dikur, ku zoti Trump përzgjidhte mes kandidatësh ata që do të punonin për kompaninë e tij.

Zoti Trump dhe organizatorët e kuvendit kanë thënë se axhenda e tij nuk do të ndryshojë, por do të vazhdojë siç ishte planifikuar pavarësisht sulmit. Në një postim në faqen e tij të mediave sociale zoti Trump shkruante se ai nuk mund të lejojë që “një person që sulmon me armë ose një vrasës i mundshëm, të imponojë ndryshimin e orarit, apo ndonjë gjë tjetër”.

“Në këtë moment është më e rëndësishme se kurrë që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë karakterin tonë të vërtetë si amerikanë, duke mbetur të fortë dhe të vendosur dhe duke mos lejuar që e keqja të fitojë”, shkruante ai.

Zoti Trump zhvilloi takime në ditët para sulmit me pretendentët kryesorë për të marrë pozitën e kandidatit për president. Të gjithë kanë dorëzuar materiale, përfshirë biografitë dhe fotografi, tek organizatorët e kuvendit sipas shumë personave në dijeni të çështjes e që folën në kushte anonimiteti.

Takimet private e të veçanta të ish-presidentit me zotin Vance, Rubio dhe Burgum u njoftuan fillimisht nga ‘ABC News’.

Një prej personave në dijeni të tyre tha se gjatë takimeve nuk ishte bërë asnjë premtim apo nuk ishte ofruar asgjë.

Pritja e zotit Trump deri tek kuvendi për të zgjedhur numrin dy të tij vjen më vonë se zakonisht sa i takon viteve të fundit, por vështirë se është e pashembullt.

Në vitin 1980, Ronald Reagan negocioi me ish-presidentin Gerald Ford për orë të tëra gjatë kuvendit republikan në Detroit, por vendosi për ish-rivalin e tij gjatë zgjedhjeve paraprake George H.W. Bush, që të ishte numri dy i tij, kur negociatat dështuan. Vendimi erdhi më pak se 24 orë para se të pranonte zyrtarisht emërimin nga partia në garën për president.

Vetë zoti Bush priti deri në kuvendin republikan të vitit 1988 që u mbajt në Nju Orlins përpara se të ‘trondiste’ shumë prej pjesëmarrësve – si dhe disa prej këshilltarët kryesorë të tij, duke zgjedhur senatorin pak të njohur të Indianës, Dan Quayle, si numrin 2 të tij, në vend të një kandidati me të njohur e më të pranuar gjerësisht.

Që atëherë, megjithatë, ka qenë traditë që të zgjidhet një kandidat pak përpara hapjes së kuvendit së partisë.

Në vitin 2008, senatori i Arizonës, John McCain, në një përpjekje për t’i dhënë hov garës së tij kundër demokratit Barack Obama, zgjodhi guvernatoren pak të njohur të Alaskës, Sarah Palin, pak përpara se të hapej kuvendi republikan në Minesota. Ai pati një rritje në anketime, por që nuk zgjati shumë.

Joe Biden, emëroi senatoren e atëhershme të Kalifornisë, Kamala Harris si kandidate për nënpresidente, gjashtë ditë përpara se Partia Demokrate të çelte kuvendin që u mbajt kryesisht ‘online’ për shkak të pandemisë së koronavirusit. /VOA